E Hënë, 2 Nëntor 2026

Agjencia e Zhvillimit të Investimeve, memorandum mirëkuptimi me homologen e Bosnjë-Hercegovinës

TIRANË, 13 tetor /ATSH/ Tirana është kthyer në epiqendrën e bashkëpunimit ekonomik rajonal me zhvillimin e Forumit të Investimeve EU–WB6, i cili po mbahet më 13–14 tetor në kryeqytetin shqiptar.

Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) bëri të ditur se në përfundim të takimit mes IPA-ve u nënshkrua një Memorandum Mirëkuptimi (MOU) mes Agjencisë Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve (AIDA) dhe Agjencisë së Promovimit të Investimeve të Bosnjës dhe Hercegovinës (FIPA).

Ky memorandum synon forcimin e bashkëpunimit institucional, nxitjen e iniciativave të përbashkëta, dhe realizimin e ideve të reja investimi që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të rajonit.

Samiti i Investimeve BE-Ballkani Perëndimor bashkon liderë rajonalë dhe ndërkombëtarë, agjenci homologe të investimeve dhe aktorë ekonomikë që ndajnë një vizion të përbashkët për një të ardhme bashkëpunimi, zhvillimi dhe besimi reciprok në rajon.

Aktiviteti i parë i forumit, “IPAs Connect” çeli siparin e këtij eventi dyditor, duke vënë në qendër të vëmendjes bashkëpunimin rajonal dhe nxitjen e investimeve të huaja direkte në rajon.

Përfaqësues nga institucionet e Bashkimit Evropian, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Banka Botërore dhe agjencitë e promovimit të investimeve nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor prezantuan punën e tyre, kornizën ligjore dhe fushat prioritare të investimeve, si dhe ndanë sfidat me të cilat përballen në tërheqjen e investimeve të huaja.

Gjashtë shtetet pjesëmarrëse në IPA’s connect ishin: Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) – Shqipëri; Agjencia për Nxitjen e Investimeve të Huaja (FIPA) – Bosnjë dhe Hercegovinë; Agjencia Kosovare për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve (KIESA) – Kosovë; Agjencia Malazeze e Investimeve (MPB) – Mali i Zi; Invest North Macedonia – Maqedonia e Veriut; Agjencia për Zhvillim e Serbisë (RAS) – Serbi.

Nga këto agjenci u paraqit vizioni i përbashkët për rritjen e konkurrueshmërisë rajonale dhe bashkëpunimin ndërkufitar, me fokus te zhvillimi ekonomik dhe mbështetja e bizneseve.

Në sesionin hapës morën fjalën: Hoa-Binh Adjemian, përfaqësues i Komisionit Evropian (DG NEAR);  Umut Ergezer, përfaqësues i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) dhe Márton Kerkapoly, përfaqësues i Bankës Botërore.

Sipas njoftimit të AIDA-s, përfaqësuesit e këtyre institucioneve theksuan se progresi i reformave është thelbësor për të ruajtur besimin në institucionet publike dhe në Bashkimin Evropian, si dhe për të krijuar një klimë të qëndrueshme investimesh në të gjithë rajonin.

Ata përshëndetën iniciativën për t’u bërë bashkë në një tryezë dhe vullnetin për bashkëpunim të mëtejshëm ndërmjet agjencive të investimeve.

AIDA evideon se në fokus të forumit ishin përvojat evropiane dhe rëndësia e bashkëpunimit.

Agjencitë e mëdha evropiane të promovimit të investimeve nga Gjermania, Franca, Italia, Hungaria dhe Qiproja ndanë përvojat e tyre të suksesshme në ndërtimin e politikave të qëndrueshme ekonomike dhe mbështetjen e investitorëve.

Ky shkëmbim përvojash u vlerësua si një mundësi e rëndësishme për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet agjencive të rajonit dhe për ta pozicionuar Ballkanin Perëndimor si një destinacion të përbashkët dhe tërheqës për investime.

1 nga 14

e.xh/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›