Ibrahimaj takon zyrtaren e lartë të KE-së: Shqipëria synon afrimin me tregun evropian

TIRANË, 12 tetor /ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, zhvilloi sot një takim zyrtar me Outi Slotboom, drejtoreshë për Politikën Industriale në DG GROW pranë Komisionit Evropian, ku u diskutuan hapat e radhës për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian në fushën e politikave industriale dhe integrimit ekonomik.
Në fokus të bisedimeve ishte platforma “Single Market Highway”, një iniciativë që synon të afrojë vendet e Ballkanit Perëndimor me rregullat dhe standardet e Tregut të Vetëm Evropian, si dhe përgatitjet për një marrëveshje të mundshme ACAA (Marrëveshje për Vlerësimin e Konformitetit dhe Pranimin e Produkteve Industriale) mes Shqipërisë dhe BE-së.
Ministrja Ibrahimaj theksoi se kapitulli 20 i negociatave për anëtarësim, që lidhet me ndërmarrjet dhe politikat industriale, është një nga prioritetet për mbyllje të hershme të Shqipërisë në procesin e integrimit.
“Partneriteti me Komisionin Evropian mbetet thelbësor për forcimin e konkurrueshmërisë industriale të vendit dhe përgatitjen e ekonomisë shqiptare për integrim të plotë në Tregun e Vetëm Evropian,” u shpreh ajo.
Takimi shënon një tjetër hap konkret drejt harmonizimit të politikave industriale shqiptare me standardet evropiane, duke krijuar më shumë mundësi për bizneset vendase dhe nxitje të investimeve në sektorë strategjikë të ekonomisë. e.xh/j.p/