Vdekja e Jesus de Miguel trondit Spanjën, në diskutim pezullimi i ndeshjeve të La Liga-s

Vdekja e sulmuesit të Tenerife-s, Jesus de Miguel, ka tronditur futbollin spanjoll, ndërsa është hapur diskutimi për pezullimin e ndeshjeve të fundjavës në të dyja kategoritë e La Liga-s, në shenjë zie për ndarjen e tij nga jeta.
Sipas raportimeve të mediave spanjolle, Shoqata e Futbollistëve Spanjollë (AFE) po zhvillon bisedime për të mundësuar shtyrjen e ndeshjeve të javës së ardhshme në kategorinë e parë dhe të dytë. Megjithatë, deri tani nuk është marrë një vendim përfundimtar dhe kalendari i ngjeshur i kampionatit e bën më të ndërlikuar zbatimin e kësaj mase në elitën e futbollit spanjoll.
Ndërkohë, janë konfirmuar shtyrjet e dy ndeshjeve të kategorisë së dytë: Granada-Tenerife, që ishte planifikuar të luhej të shtunën, më 7 nëntor, dhe Andorra-Mallorca, e programuar për të dielën. Vendimet u morën pas kërkesave të klubeve, në mënyrë që futbollistët të kenë mundësi t’i japin lamtumirën shokut të tyre të skuadrës. Datat e reja të zhvillimit të këtyre takimeve ende nuk janë përcaktuar.
De Miguel, 30 vjeç, ndërroi jetë të martën, një ditë pasi pësoi një goditje të fortë gjatë ndeshjes mes Tenerife-s dhe Andorrës. Incidenti ndodhi në minutat shtesë të takimit, kur portieri kundërshtar, Jesús Owono, e goditi pa dashje me gju në kraharor gjatë një ndërhyrjeje për të larguar topin.
Sulmuesi humbi ndjenjat në fushë dhe mori ndihmën e menjëhershme të personelit mjekësor, i cili kreu edhe manovra reanimimi. Ai u transportua më pas në spital, ku u shtrua në terapi intensive, por gjendja e tij u përkeqësua dhe ndërroi jetë të martën në mëngjes.
Policia spanjolle ka nisur një hetim për rrethanat e vdekjes së futbollistit. Sipas autoriteteve, hapja e një hetimi gjyqësor është procedurë standarde në rastet e vdekjeve me shkaqe jo natyrore. Ndërkohë, pritet edhe raporti mjeko-ligjor për të përcaktuar rrethanat e plota të ngjarjes.
Lajme të Sugjeruara