Çmimet e reja të karburanteve, nafta 192 lekë dhe benzina 172 lekë për litër

TIRANË, 5 qershor/ATSH/ Bordi i Transparencës vendosi sot çmimet e reja tavan të shitjes me pakicë dhe shumicë për nënproduktet e naftës, të cilat hynë në fuqi në orën 13:00.
Sipas vendimit të miratuar në mbledhjen e radhës së bordit, çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil të standardit SSH EN 590 do të jetë jo më shumë se 192 lekë për litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë jo më shumë se 180 lekë për litër.
Për benzinën e standardit SSH EN, bordi vendosi që çmimi i shitjes me pakicë të jetë jo më shumë se 172 lekë për litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë jo më shumë se 160 lekë për litër.
Bordi bëri të ditur se çmimet e përcaktuara do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme, ku do të pasqyrohen ndryshimet e mundshme të çmimeve në treg.
Në njoftim tërhiqet vëmendja e operatorëve të tregtimit me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës për zbatimin e detyrueshëm të këtij vendimi.
“Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit”, theksohet në njoftimin e Bordit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, ritheksoi angazhimin për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve shqiptarë dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në tregun e karburanteve.
Sa i përket gazoilit për peshkim, Bordi sqaroi se, bazuar në përjashtimet fiskale të parashikuara në legjislacionin në fuqi për taksën e qarkullimit, taksën e karbonit dhe akcizën për anijet e peshkimit, çmimi i shitjes së gazoilit për këtë kategori rezulton 96 lekë për litër.
/j.p/r.e/