Rriten lehtë çmimet e prodhimit, udhëheq industria përpunuese

TIRANË, 5 qershor/ATSH/ Çmimet e prodhimit shënuan rritje të lehtë gjatë tremujorit të parë të këtij viti.
Sipas raportit të publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT), Indeksi i Çmimeve të Prodhimit u rrit me 0,02%.
Sipas sektorëve, rritja më e lartë është regjistruar në industrinë përpunuese, me 0,4%. Po ashtu, rritje është shënuar edhe në sektorin e furnizimit me ujë, si dhe në aktivitetet e trajtimit dhe menaxhimit të mbetjeve, me 0,3%.
Nga ana tjetër, ulje e çmimeve është vënë re në sektorin e energjisë elektrike, gazit, avullit dhe ajrit të kondicionuar, me 0,9%.
Sa i përket tregut, për produktet e destinuara për tregun vendas, çmimet janë rritur me 0,3% krahasuar me një vit më parë. Ndërsa për eksportet është regjistruar ulje me 0,5%.
Në krahasim me tremujorin e katërt të vitit që lamë pas, indeksi ka shënuar gjithashtu një rritje të lehtë prej 0,1%.
Brenda industrisë përpunuese, rritjet më të mëdha janë vërejtur në prodhimin e drurit dhe produkteve prej druri, prodhimin e pijeve, shtypshkrimin dhe rigrupimin e mediave të regjistruara, si dhe në prodhimin e produkteve të kauçukut dhe plastikës, me rritje rreth 1,2% secila.
Ndërkohë, ulje e çmimeve është regjistruar në prodhimin e pajisjeve elektrike me 0,9%, si dhe në metalurgji me 0,6%.

/j.p/r.e/