E Hënë, 2 Nëntor 2026

Çomo: Fluks i shtuar pacientësh me viroza në urgjencën e Infektivit, situata e menaxhueshme

TIRANË, 13 shkurt /ATSH/ Në kulmin e virozave dhe gjendjes gripale në vend, në Shërbimin Infektiv pranë Qendrës Spitalore “Nënë Tereza” janë marrë të gjitha masat e nevojshme për të përballuar fluksin e shtuar të pacientëve, duke garantuar ofrimin e shërbimit pa asnjë problematikë.

Drejtuesja e QSUNT-së, Anxhela Paparizo, zhvilloi një vizitë në shërbimin Infektiv pranë kësaj qendre spitalore, ku u takua nga afër me stafin mjekësor, atë infermieror dhe pacientë të shtruar.

Dr. Najada Çomo, shefe e Spitalit Infektiv, tha se aktualisht situata e gripit është normale.

“Shërbimi Infektiv ka pacientë nga 1 janari deri në 31 dhjetor. Pjesa e gripit ka zënë pjesën e fortë të kësaj situate, ku fluksi i pacientëve ka qenë i shtuar. Kemi pasur situata të rënduara, pasi ka pacientë që kanë infeksione virale të rënda që detyrojnë pacientin të shtrohet pranë Shërbimit Infektiv”, tha dr. Çomo.

Sipas saj, situata është e menaxhueshme nga ana e stafit mjekësor, qoftë nga ana e stafit infermieror, barnat janë në spital dhe pacientët nuk janë të detyruar t’i blejnë ato jashtë spitalit.

“Hoteleria, kuzhina, ndihma e psikologëve dhe sociologëve për grupe pacientësh të caktuar është gjithashtu e mbuluar”, vijoi ajo.

Dr. Çomo theksoi se edhe në rast të përshkallëzimit të mundshëm të situatës për shkak të gripit, Shërbimi Infektiv është i përgatitur për çdo situatë serioze.

“Gjithsej janë 16 shtretër, ka edhe një dhomë izolimi për çdo pacient që ka sëmundje infektive futet në një dhomë të izoluar. Është edhe dhoma e triazhit sipas kodit që menaxhohet nga stafi mjekësor”, tha dr. Çomo, e cila shtoi se janë rreth 200 pacientë në ditë që paraqiten në urgjencë, prej të cilëve 40% janë për shtrim në spital dhe 60% marrin ndihmën mjekësore dhe largohen.

/e.i/j.p/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›