Costa: Kemi kushte për të filluar mbylljen e disa kapitujve të negociatave me Shqipërinë

TIRANË, 2 qershor /ATSH/ Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa vlerësoi sot progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama në Kryeministri.
I pyetur lidhur me propozimin e kancelarit gjerman Friedrich Merz, Costa u shpreh se vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë dhe Malin e Zi, po ecin në drejtimin e duhur në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
“Në lidhje me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në veçanti për vende si Mali i Zi apo Shqipëria, unë mendoj që ne mund të punojmë qartazi sepse jemi në rrugën e duhur”, u shpreh Costa.
Ai theksoi se procesi i negociatave po kalon në një fazë më konkrete, ku fokusi është mbyllja graduale e kapitujve.
“Tashmë kemi krijuar grupin e punës për të filluar përpilimin e traktatit të anëtarësimit për Malin e Zi dhe tashmë 35 kapituj janë hapur për negociata me Shqipërinë”, deklaroi ai.
Sipas tij, ekzistojnë kushtet për avancimin e mëtejshëm të procesit me mbylljen e kapitujve.
“Tashmë mendoj që kemi kushte për të filluar mbylljen e disa kapitujve”, u shpreh Presidenti i Këshillit Evropian.
Ai shtoi se Komisioni Evropian ka propozuar tashmë hapa konkretë për ecurinë e negociatave.
“Dje Komisioni i ka sjellë Këshillit propozime për mbylljen e tre kapitujve. Pra po ecet përpara dhe këtu duhet të përqendrohemi, të fokusohemi tek kjo pikë”, tha Costa.
Duke folur për objektivin e Shqipërisë për përmbylljen e negociatave, Costa theksoi se procesi është ambicioz, por i realizueshëm.
“Shqipëria ka një projekt shumë ambicioz dhe ne ndajmë këtë dëshirë tuajën për përfundimin e negociatave deri në fund të vitit 2027”, deklaroi ai.
Ai shtoi se afatet kërkojnë intensifikim të punës dhe rezultate konkrete.
“Jemi tashmë në qershor të vitit 2026. Kemi edhe një vit e gjysmë përpara, që do të thotë se duhet të vazhdojmë të punojmë më fort dhe të tregojmë rezultate hap pas hapi për çështje të ndryshme. Dhe është e mundur. A është e vështirë? Po. A është e mundur? Po. Pra, duhet të punojmë pikërisht për këtë çështje”, u shpreh presidenti i Këshillit Evropian.
/gj.m/j.p/r.e/