Rama: Projekti në Zvërnec do të jetë me standarde europiane për mbrojtjen e mjedisit

TIRANË, 2 qershor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se projekti turistik që do të zhvillohet në zonën e Zvërnecit do të jetë në përputhje të plotë me standardet e Bashkimit Europian për mbrojtjen e mjedisit dhe biodiversitetit.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa, Rama iu përgjigj interesimit të gazetarëve lidhur me ndikimin e projektit në zonën e mbrojtur të Zvërnecit.
“Si mundet ne të bëjmë një projekt, i cili është një projekt në një peizazh natyror dhe të mos respektojmë standardet e BE-së? Ka një mundësi, të mbyllim procesin me BE-në dhe të themi ne do të shkojmë me Kinën”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se Shqipëria nuk ka alternativë tjetër përveç integrimit europian dhe se respektimi i standardeve të BE-së bëhet “jo për ata, por për ne”.
“Ja them këtë të gjithë atyre që hera-herës thonë ç’na duhet Europa plakë. Ju e dini që ajo Europa plakë është e vetmja që na duhet ne. Të kesh të mendosh për një alternativë ndaj asaj Europe duhet të pranosh që ka një alternativë ndaj lirisë individuale, duhet të pranosh që ka një alternativë ndaj sundimit të ligjit dhe duhet të pranosh që ka një alternativë ndaj bashkimit që bën fuqinë. Unë nuk mendoj që këto alternativa ekzistojnë dhe natyrisht që për t’u bërë pjesë e kësaj familje duhet të sillemi korrekt, sipas standardit të asaj familje jo për ata por për ne”, u shpreh ai.
Rama solli në vëmendje edhe përvojën e Portugalisë në procesin e integrimit europian, duke vlerësuar rolin e presidentit të Këshillit Europian.
“Presidenti ka qenë kryeministri më i suksesshëm i Portugalisë pas Luftës së Dytë Botërore. Dhe është njeriu që mund t’ju tregojë shembuj pafund se si gjithë ato tensione dhe dhimbje që krijoi procesi i futjes në Bashkimin Europian për të reformuar vetveten, u kthyen në mirësi dhe sukses për atë popull”, tha Rama.
Duke folur për projektin në Zvërnec, kryeministri nënvizoi se synimi është ndërtimi i një modeli zhvillimi turistik me standarde shumë të larta.
“Projekti jo vetëm që do të jetë në standarde europiane, por ambicia ime dhe ambicia që ndaj me bashkëinvestitorët që janë aktualsiht edhe bashkëpronarë sot atje, që të jemi shumë të qartë, është që të bëjmë një projekt model, në një nivel edhe më të lartë sesa Costa Navarino, sepse kemi çfarë të mësojmë prej tyre”, deklaroi ai.
Rama bëri të ditur se për projektin po studiohen modele të ngjashme të lagunave në Francë dhe po angazhohen ekspertë ndërkombëtarë të fushave të mjedisit, hidroteknikës dhe arkitekturës.
“Janë disa laguna në Francë që janë me të njëjtat karakteristika si laguna atje dhe janë destinacione turistike të nivelit më të lartë dhe kanë komunitetet më të pasura të Francës rreth tyre, për shkak të tyre. Patjetër që ka pasur edhe eksperimente ose projekte qe kanë sjellë dëme. Nuk po përmend vende, vende të Bashkimit Europian. Janë të gjitha në dosjen e studimeve që po bëhen, sepse në një lagunë “X” në një vend tjetër, jo në Francë ka ndodhur një sërë pasoja shume të rënda për biodiversitet”, deklaroi Rama.
Sipas tij, arkitektë nga më të mirët e botës, inxhinierë nga më të mirët e botës, të hidro, të mjedisit dhe të gjithë spektrit të problemeve nuk janë mbledhur këtu për të hedhur beton dhe për të shkatërruar biodiversitetin..
Ai shtoi se kompania “Power Holding”, e përfshirë në projekt, ka realizuar resorte luksoze në Maldive dhe në zona të tjera të ndjeshme mjedisore.
“E vetmja gjë që mund të bëjnë, po këtë nuk kemi si ta shmangim, është të shkatërrojnë nervat dhe imazhin e Sazanit Gurit me shokë”, deklaroi Rama. /j.p/