Berisha: SPAK mbetet institucion politik, dosjet e opozitës nuk guxon t’i prekë

TIRANË, 2 qershor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se lufta kundër korrupsionit në Shqipëri është e pamundur për sa kohë, sipas tij, ekzekutivi ndërhyn dhe mbron zyrtarët e lartë të lidhur me pushtetin.
Gjatë një konference për mediet, Berisha tha se problemi kryesor mbetet mungesa e goditjes së nivelit më të lartë të qeverisjes.
Duke folur për SPAK-un, Berisha e cilësoi institucionin si “organ politik” dhe teksa shtoi se nuk trajton dosjet e depozituara nga opozita. Ai tha se nga dhjetëra dosje që lidhen me krimin zgjedhor, vetëm një është dërguar në gjykatë, ndërsa të tjerat, sipas tij, janë mbyllur.
“Në një aspekt kur ekzekutivi i shpall haptas luftë institucionit të akuzës, lufta kundër korrupsionit bëhet e pamundur. Në ç’kuptim? Në qoftë se kreu nuk goditet, goditja e gjymtyrëve periferikë nuk e kërcënon sistemin, përkundrazi e bën atë dhe më agresiv”, tha Berisha.
Sipas tij, SPAK-u vazhdon të jetë një organ politik.
“Nga 43 dosje të dokumentuara, jo më shumë, po që janë të finalizuara që ata kanë shqyrtuar për krimin elektoral, kanë çuar në gjykatë vetëm një, mbyllin masivisht. Organ i shtypjes së pluralizmit politik. Pra në qoftë se qeveria nuk çon dosje, opozita çon dosje aty dhe ata dosjet e opozitës kanë tmerr t’i prekin”, vuri në dukje kreu i PD-së.
Po ashtu, Berisha tha se asnjë bos mafie nuk arrestohet në Shqipëri, por kur dalin nëpër botë.
“Si i gjejnë të tjerët kaq kollaj dhe s’i gjejmë dot ne në tokën tonë? Sepse i njoftojnë. Është një rebus aty. Prokuroria thotë i njofton policia, policia thotë jo, i njoftojnë këta. Nga të dyja palët ka rrjedhje informacioni. Kjo është e provuar, është shumë e provuar”, tha Berisha.
/m.q/j.p/r.e/