DAMASK – Fidan: SHBA-ja do të njoftojë fazën e dytë të marrëveshjes për Gazën në javët e para të 2026-ës

DAMASK, 22 dhjetor /ATSH-DPA/- Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan tha sot se pret që presidenti i SHBA-së Donald Trump të njoftojë fillimin e fazës së dytë të marrëveshjes së armëpushimit në Gaza në “javët e para” të vitit të ri.
“Ne presim që faza e dytë të fillojë në javët e para të vitit të ri, me një deklaratë të presidentit amerikan, Donald Trump”, tha Fidan në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun e tij sirian, Asaad al-Shaibani, në Damask.
Fidan tha se SHBA-ja kishte paraqitur studime paraprake të projektit mbi rindërtimin e Gazës gjatë bisedimeve në Miami në fundjavë, të cilat përfshinin përfaqësues nga Turqia, Katari dhe Egjipti.
Fidan u takua sot me presidentin sirian, Ahmad al-Sharaa, i shoqëruar nga shefi i inteligjencës turke dhe ministri i Mbrojtjes, për të diskutuar bashkëpunimin në siguri, ekonomi dhe rajon.
Një çështje kyçe është zbatimi i një marrëveshjeje të marsit për të integruar Forcat Demokratike Siriane (SDF) – të udhëhequra nga kurdët në strukturat e sigurisë shtetërore të Sirisë – një shqetësim thelbësor për sigurinë kombëtare turke.
Fidan akuzoi sot SDF-në për zvarritje të marrëveshjes dhe tha se koordinimi i saj me Izraelin përbënte një pengesë të madhe në bisedimet me Damaskun.
Më herët, Ankaraja i bëri thirrje SDF-së të përshpejtonte integrimin.
Al-Shaibani tha se Damasku po shqyrtonte një përgjigje që SDF-ja kishte dërguar në fundjavë, por e kritikoi grupin për vonesat në rindërtimin e Sirisë verilindore.
Afati i fundit për të zbatuar marrëveshjen e marsit ishte fundi i vitit 2025, dhe Ankaraja ngriti mundësinë e një ndërhyrjeje ushtarake nëse ajo zvarritej më tej.
Turqia kontrollon zonat në Sirinë veriperëndimore. Ajo e konsideron SDF-në – e mbështetur nga SHBA-ja – një grup terrorist për shkak të lidhjeve të saj me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e cila është e ndaluar, duke ndërlikuar dinamikën rajonale. //a.i/