Malaj: 2 miliardë lekë fond shtesë për fermerët

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi sot se përmes Aktit Normativ të fundvitit të miratuar nga qeveria do të rritet mbështetja financiare për sektorin e bujqësisë, duke synuar forcimin e prodhimit vendas dhe përmirësimin e kushteve për fermerët në të gjithë vendin.
Sipas Malajt, fermerët do të përfitojnë një fond shtesë prej 2 miliardë lekësh përmes skemave të mbështetjes, të cilat do të përdoren për të nxitur investimet, rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe modernizimin e aktivitetit bujqësor.
Në total, fondi i alokuar për vitin 2025 për skemat mbështetëse në bujqësi arrin në 6,4 miliardë lekë, nga 5,3 miliardë lekë që ishte në vitin 2024, duke reflektuar një rritje të ndjeshme të financimit për këtë sektor.
Ministri theksoi se kjo rritje e mbështetjes financiare është pjesë e angazhimit të qeverisë për zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë, rritjen e të ardhurave të fermerëve dhe forcimin e sigurisë ushqimore në vend.
Sipas tij, skemat e mbështetjes do të vijojnë të orientohen drejt përmirësimit të konkurrueshmërisë së produkteve bujqësore shqiptare, si në tregun vendas ashtu edhe në atë të eksportit, duke krijuar më shumë mundësi punësimi dhe zhvillimi në zonat rurale.
/e.xh/a.f/