E Hënë, 2 Nëntor 2026

DANIMARKË – Sërish alarm, mbyllet hapësira ajrore mbi aeroportin e Aalborgut

KOPENHAGË, 25 shtator /ATSH-DPA/- Aeroporti i Aalborgut në Danimarkë u mbyll përkohësisht pas shfaqjes së dronëve në hapësirën ajrore, vetëm dy ditë pas alarmit në aeroportin kryesor të vendit në Kopenhagë.

Policia daneze tha se dronët e Aalborgut kishin një model të ngjashëm me ata që kishin ndalur fluturimet në Kopenhagë për katër orë të hënën, 22 shtator.

Incidenti ndikoi edhe në forcat e armatosura, pasi aeroporti i Aalborgut përdoret si bazë ushtarake.

Autoritetet daneze paralajmëruan më herët se ngjarja në Kopenhagë ishte sulmi më i rëndë ndaj infrastrukturës së rëndësishme të vendit dhe e lidhën atë me një seri dyshimesh për ndërhyrje me dronë rusë dhe përplasje të tjera nëpër Evropë.

Ngjarje të ngjashme ndodhën edhe në Oslo të Norvegjisë, ku hapësira ajrore u mbyll për tre orë pas shfaqjes së një droni të hënën në mbrëmje.

Autoritetet raportojnë se disa dronë janë parë pranë aeroportit të Aalborgut, rreth orës 21:44 të mërkurën, 24 shtator.

“Është herët për të thënë se cili është qëllimi i dronëve dhe kush qëndron pas tyre”, deklaroi një zyrtar i policisë.

Eurocontrol, që mbikëqyr trafikun ajror në Evropë, ka njoftuar po ashtu se nuk ka pasur fluturime në aeroportin e Aalborgut deri në orën 04:00 të enjtes, për shkak të aktivitetit të dronëve në zonë.

Policia konfirmoi se po vijon me hetimet në terren dhe se nuk ka rrezik për pasagjerët apo banorët e zonës.

Tre fluturime u devijuan drejt aeroporteve të tjera. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›