E Diel, 1 Nëntor 2026

DAVOS – BE vë në pikëpyetje besueshmërinë e Trump për shkak të tarifave të reja

DAVOS, 20 janar /ATSH/- Zyrtarja më e lartë e Bashkimit Evropian i përshkroi sot tarifat e reja të planifikuara të presidentit të SHBA-së, Donald Trump për shkak të mosmarrëveshjes për Groenlandën si “një gabim”, veçanërisht midis aleatëve të hershëm dhe vuri në pikëpyetje besueshmërinë e Trump, duke thënë se ai kishte rënë dakord vitin e kaluar të mos vendoste më shumë tarifa për anëtarët e bllokut, sipas AP.

“Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rënë dakord për një marrëveshje tregtare korrikun e kaluar”, tha sot presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.

Deklarata e saj erdhi në përgjigje të njoftimit të presidentit amerkan, Donald Trump lidhur me vendosjen e nje takse importi prej 10%, duke filluar nga shkurti, për mallrat nga tetë vende evropiane, që kanë mbështetur Danimarkën pas thirrjeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të marrë territorin gjysmë-autonom danez të Groenlandës.

“Dhe në politikë si në biznes – një marrëveshje është një marrëveshje. Dhe kur miqtë shtrëngojnë duart, kjo duhet të ketë një kuptim”, theksoi ajo.

“Ne i konsiderojmë njerëzit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës jo vetëm aleatët tanë, por edhe miqtë tanë. Dhe zhytja jonë në një spirale në rënie do të ndihmonte vetëm kundërshtarët – që të dy jemi kaq të përkushtuar – për t’i mbajtur larg peizazhit strategjik”, shtoi ajo.

Ajo u zotua se përgjigjja e BE-së do të ishte e palëkundur, e bashkuar dhe proporcionale.

Trump ka këmbëngulur se SHBA-ja ka nevojë për territorin e Groenlandës për arsye sigurie kundër kërcënimeve të mundshme nga Kina dhe Rusia.

Më herët, sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent tha se marrëdhëniet e Amerikës me Evropën mbeteshin të forta dhe u bëri thirrje partnerëve tregtarë të “merrnin frymë thellë” dhe të ulnin tensionet e nxitura nga kërcënimet e reja tarifore mbi Groenlandën.

“Mendoj se marrëdhëniet tona nuk kanë qenë kurrë më të afërta”, tha ai. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›