DAVOS – Merz dhe Trump do të diskutojnë mosmarrëveshjen mbi Groenlandën

BERLIN, 19 janar /ATSH-DPA/- Kancelari gjerman, Friedrich Merz do të takohet të mërkurën me presidentin e SHBA-së, Donald Trump në Forumin Ekonomik Botëror në Davos – për të diskutuar mosmarrëveshjen mbi Groenlandën.
“Nëse është e nevojshme, ne sigurisht do të mbrojmë interesat tona evropiane, përfshirë interesat tona kombëtare gjermane”, tha Merz.
Deklarata e tij erdhi pasi Trump tha të shtunën se do të vendoste një tarifë prej 10% për mallrat nga Danimarka dhe shtatë vende të tjera evropiane duke filluar nga 1 shkurti dhe duke u rritur në 25% nga 1 qershori – nëse nuk arrihej një zgjidhje – e cila do të ishte “blerja e plotë” e Groenlandës së administruar nga Danimarka.
Trump ka këmbëngulur se kontrolli amerikan i ishullit Arktik ishte i nevojshëm për të mbrojtur rajonin nga Rusia dhe Kina.
Kërkesa e fortë është përballur me kundërshtime nga brenda Groenlandës, në Kopenhagë dhe midis aleatëve evropianë të Danimarkës.
Merz e bëri të qartë se ai i merr seriozisht shqetësimet në lidhje me sigurinë ushtarake të Groenlandës në planin afatgjatë.
Megjithatë, kancelari theksoi gjithashtu se vetë SHBA-ja dikur kishte mbi 30 000 ushtarë në Groenlandë.
“Aktualisht ka më pak se 200. Padyshim, edhe analiza e kërcënimeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk është aq dramatike sa po paraqitet në këtë moment – gjë që nuk do të thotë se nuk mund të bëhet sëri më serioze”, tha Merz.
Më herët, kancelari gjerman tha se Evropa duhej të qëndronte në pozicionin e saj përballë kërcënimeve të Trump.
“Është e qartë se ne duam të qëndrojmë në pozicionin tonë, si vend dhe si kontinent,” tha kancelari në Berlin.
“Varet nga ne, dhe në Gjermani duam të pranojmë realitetet, të marrim përgjegjësi dhe të udhëheqim rrugën për Gjermaninë”, theksoi ai.
Duke folur pas konsultimeve me demokratët e tij të krishterë konservatorë, Merz tha se ekzistonte një marrëveshje të gjerë midis evropianëve se kërcënimet e mëtejshme tarifore dobësojnë marrëdhëniet transatlantike, duke mbartur rrezikun e përshkallëzimit.
Merz paralajmëroi se konsumatorët amerikanë do të paguanin çmimin e tarifave prej 10%, ndërsa pranoi se ato do të shkaktonin dëm për ekonomitë gjermane dhe evropiane.
“Tarifat doganore zakonisht paguhen nga ata në vendin e të cilëve shkojnë importet,” tha ai.
“Në këtë rast, konsumatorët amerikanë do të paguanin detyrimet doganore, por sigurisht që ato do të dëmtonin edhe ekonominë tonë, ekonominë evropiane dhe ekonominë gjermane në veçanti, prandaj duam të gjejmë një zgjidhje”, tha Merz. //a.i/