E Diel, 1 Nëntor 2026

GJERMANI – Ministri i Financave: BE-ja nuk do të shantazhohet nga kërcënimet e tarifave të SHBA-së

BRUKSEL, 19 janar /ATSH-DPA/- Vendet e Bashkimit Evropian po nxitojnë të gjejnë një përgjigje të përbashkët ndaj kërcënimeve të presidentit të SHBA-së Donald Trump për të vendosur një tarifë shtesë prej 10% për mallrat nga disa aleatë evropianë nga 1 shkurti.

Udhëheqësit e BE-së do të takohen të enjten, në Bruksel pasi Trump tha se tetë vende evropiane do të përballeshin me tarifa më të larta – derisa Shtetet e Bashkuara të Amerikës të siguronin atë që ai e përshkroi si “blerjen e plotë dhe totale” të Groenlandës.

Danimarka, Finlanda, Franca, Gjermania, Holanda, Norvegjia, Suedia dhe Britania e Madhe dërguan së fundmi një numër të vogël ushtarësh në një mision zbulimi në Groenlandë si një shenjë solidariteti me Danimarkën, e cila po kundërshton ambiciet e Trump për marrjen e ishullit Arktik – që e ka kontrolluar për rreth 300 vjet.

“Ne nuk do të shantazhohemi, por do të qëndrojmë së bashku në solidaritet në Evropë”, tha ministri gjerman i Financave, Lars Klingbeil, ndërsa mbërriti në bisedimet dyditore të planifikuara në Bruksel, me homologët e tij të BE-së.

“Ne nuk duam një përshkallëzim. Ne nuk kërkojmë një përshkallëzim, por jemi gati nëse ndodh”, tha Klingbeil.

“BE-ja ka një “portofol të gjerë” masash të mundshme nëse vendosen tarifat”, tha ai, duke përfshirë Instrumentin Kundër-Shtrëngimit (ACI) të bllokut.

“Ne duhet të bëjmë gjithçka që këto kërcënime të mos bëhen realitet”, tha ministri Francez i Financave Roland Lescure, duke folur së bashku me Klingbeil.

“Dhe mënyra më e mirë për ta bërë këtë është të tregojmë se Evropa është gati të reagojë,  në një mënyrë të bashkuar, të mbledhur dhe të fortë”, tha Lescure.

Një masë e BE-së që aktualisht po shqyrtohet është përdorimi i Instrumentit Kundër-Shtrëngimit, i cili do t’i lejonte bllokut të vendoste tarifa hakmarrëse për importet e mallrave amerikane së bashku me masa të tjera kufizuese.

Mekanizmi, i miratuar në vitin 2023, mund të përdoret në rastet e shtrëngimit ekonomik kur një vend jashtë BE-së përpiqet të ushtrojë presion mbi bllokun ose një nga 27 anëtarët e tij – për të marrë një vendim përmes kufizimeve tregtare.

“Praktika të tilla “ndërhyjnë padrejtësisht në zgjedhjet legjitime sovrane të Bashkimit Evropian dhe shteteve të tij anëtare”, thotë Komisioni Evropian në faqen e tij të internetit.

Në diskutim është gjithashtu mundësia e vendosjes së tarifave shtesë për një listë mallrash me një vëllim të përgjithshëm tregtar prej 93 miliardë eurosh, duke përfshirë mallra industriale dhe bujqësore si motoçikleta, mish viçi, uiski dhe fruta agrume.

Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, do të presë ministrin danez të Mbrojtjes, Troels Lund Poulsen, dhe ministren e Punëve të Jashtme të Groenlandës, Vivian Motzfeldt, për bisedime sot, në Bruksel.

Përpara takimit, Poulsen bëri thirrje që NATO të rriste praninë në Arktik.

Sipas Komandës Daneze të Arktikut, rreth 100 trupa daneze u dërguan në Nuuk javën e kaluar, së bashku me një numër të ngjashëm në Kangerlussuaq.

Ushtarët janë ngarkuar me nisjen e manovrave të Qëndrueshmërisë Arktike të udhëhequr nga Danimarka, në të cilën po marrin pjesë edhe aleatë të tjerë të NATO-s.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›