E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Danimarka dhe Groenlanda i kërkojnë NATO-s të veprojë në Arktik para takimit kyç

KOPENHAGË, 19 dhjetor /ATSH-DPA/- Ministri danez i Mbrojtjes, Troels Lund Poulsen, i bëri thirrje sot NATO-s të bëjë më shumë në Arktik, duke njoftuar se ai dhe ministrja e Jashtme e Groenlandës, Vivian Motzfeldt, kishin planifikuar të diskutonin mosmarrëveshjen për ishullin me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.

Të dy ministrat do të marrin pjese sot në Bruksel për bisedime në selinë e NATO-s, ndërsa tensionet rriten midis disa prej anëtarëve evropianë të aleancës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka kërkuar që SHBA-ja të marrë kontrollin e Groenlandës, e cila i përket Danimarkës, duke thënë se ishulli Arktik është i nevojshëm për arsye sigurie.

Aleatët evropianë të NATO-s kanë kundërshtuar fuqimisht çdo veprim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të aneksuar Groenlandën.

Lund Poulsen tha në një deklaratë se Danimarka dhe Groenlanda kishin marrë “mbështetje të gjerë” për thirrjen se “NATO duhej të bënte më shumë në Arktik” pasi vendosën, së bashku me disa aleatë, të rrisnin praninë e tyre ushtarake në rajon.

“Groenlanda e gjen veten në një situatë të pazakontë që po tërheq vëmendjen e të gjithë botës. Situata kërkon që ne të forcojmë bashkëpunimin për çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë në Arktik brenda NATO-s”, tha Motzfeldt.

Bazuar në informacionin e Ministrisë së Mbrojtjes, Danimarka do të dërgojë më shumë trupa luftarake në Groenlandë.

Trupat e reja do të mbërrijnë sot në Kangerlussuaq, rreth 300 kilometra në veri të kryeqytetit të ishullit, Nuuk.

Shefi i ushtrisë, gjeneralmajor Peter Boysen, do të shoqërojë dislokimin e trupave.

Sipas Komandës Daneze të Arktikut, rreth 100 trupa daneze u dërguan në Nuuk javën e kaluar, së bashku me një numër të ngjashëm në Kangerlussuaq.

Ushtarët janë ngarkuar me nisjen e manovrave të Qëndrueshmërisë Arktike të udhëhequr nga Danimarka, në të cilën po marrin pjesë edhe aleatë të tjerë të NATO-s. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›