E Diel, 1 Nëntor 2026

DAVOS – Trump: Groenlandën mund ta mbrojë vetëm SHBA, duam negociata për blerjen e saj dhe jo përdorimin e forcës

DAVOS, 21 janar /ATSH-AFP/ – Groenlandën mund ta mbrojë vetëm një fuqi si SHBA, deklaroi sot presidenti amerikan, Donlad Trump gjatë fjalimit të tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

”Groenlandën mund ta mbrojë vetëm një fuqi si SHBA”, deklaroi ai.

“Çdo aleat i NATO-s ka detyrimin të jetë në gjendje të mbrojë territorin e vet. Dhe fakti është se asnjë komb apo grup kombesh nuk është i aftë të mbrojë Groenlandën përveç Shteteve të Bashkuara. Ne jemi një fuqi e madhe, shumë më e madhe nga sa imagjinojnë njerëzit”, tha presidenti i SHBA-së.

“Vetëm Shtetet e Bashkuara mund ta mbrojnë këtë tokë gjigante, këtë copë kolosale akulli, ta zhvillojnë atë, ta përmirësojnë dhe ta bëjnë të dobishme për Evropën dhe të sigurt për Evropën dhe të mirë për ne. Dhe kjo është arsyeja pse po bëj thirrje për hapjen e menjëhershme të negociatave për të diskutuar përsëri blerjen e Groenlandës nga Shtetet e Bashkuara”, i tha ai Forumit Ekonomik Botëror.

Lidhur me këtë çështje, presidenti Trump akuzoi Danimarkën për “mosmirënjohje”

Trump argumentoi përpara audiencës në Davos se pse SHBA-të duhet ta blejnë Groenlandën, sipas BBC.

Disa prej tyre, siç janë shqetësimet e tij për sigurinë kombëtare dhe vendndodhja e saj në sferën e ndikimit të Hemisferës Perëndimore të Amerikës, ishin të njohura.

Megjithatë, kthesa e re ishte pohimi i tij se SHBA-të kishin kontroll mbi ishullin – dhe një pretendim për të – për shkak të përpjekjeve të tyre për të mbrojtur territorin gjatë Luftës së Dytë Botërore, pasi Danimarka u pushtua nga Gjermania.

“Ne e kishim tashmë, por ia kthyem Danimarkës pas Luftës së Dytë Botërore. SHBA duhet ta kishte mbajtur (Groenlandën)”, tha ai.

“Ndoshta nuk do të arrijmë asgjë nëse nuk vendos të përdor forcë dhe forcë të tepruar, ku sinqerisht do të ishim të pandalshëm. Por, nuk do ta bëj këtë”, u tha Trump udhëheqësve botërorë në Davos.

“Nuk dua të përdor forcë, nuk do të përdor forcë”, theksoi ai./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›