Dako përfundon vuajtjen e dënimit

TIRANË, 26 shtator /ATSH/ Ish-kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako është liruar sot nga burgu pasi ka përfunduar ditët e mbetura të vuajtjes së dënimit.
Sipas medieve, Dako ka lënë ambientet e qelisë së burgut të Durrësit herët mëngjesin e sotëm.
Dako u rikthye në qeli pas “arrestit shtëpiak” më 16 shtator me vendim të Apelit të GJKKO-së, që e dënoi me 2 vite e 8 muaj për “shpërdorim detyre”.
Nga llogaritja e paraburgimit dhe arrestit shtëpiak, Dakos i mbeteshin vetëm 10 ditë burg, 4 prej të cilave i kaloi në spital.
Dako u dënua për “shpërdorim të detyrës” në 2 raste. Njëri rast, kishte të bënte me ndërtimin e një pallati 11-katësh në vitin 2011, që sipas SPAK, ishte jashtë çdo kriteri, kushti teknik dhe në paligjshmëri, çka e ktheu ndërtesën në të rrezikshme për t’u banuar.
Rasti i dytë lidhej me një tender për ndërtimin e një shëtitoreje në vitet 2014-2015, që i shkaktoi buxhetit të shtetit një dëm prej 18 milionë lekësh.
/m.q/j.p/