E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Microsoft” kufizon përdorimin e IA-së dhe shërbimeve “cloud” për ushtrinë izraelite

NJU JORK, 26 shtator /ATSH-DPA/- “Microsoft” nuk po ofron më shërbime të caktuara të inteligjencës artificiale (IA) në cloud për Ministrinë e Mbrojtjes së Izraelit, njoftoi sot presidenti i kompanisë, Brad Smith në një postim dje në mbrëmje.

Ai tha se kompania kërkon të sigurojë që shërbimet e “Microsoft” nuk mund të përdoren për mbikëqyrjen masive të civilëve palestinezë.

“Ne nuk ofrojmë teknologji për të lehtësuar mbikëqyrjen masive të civilëve. Ne e kemi zbatuar këtë parim në çdo vend të botës dhe kemi këmbëngulur për të vazhdimisht – për më shumë se dy dekada”, tha Smith.

Vendimi vjen pas një raporti të së përditshmes britanike “The Guardian” më 6 gusht, i cili thoshte se një njësi e ushtrisë izraelite po përdorte platformën “cloud Azure” të “Microsoft” për të ruajtur të dhëna nga thirrjet telefonike.

Raporti tha se informacioni ishte mbledhur përmes mbikëqyrjes masive të civilëve në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor.

“Microsoft” më pas njoftoi një hetim mbi akuzat.

Ndërsa shqyrtimi është ende në vazhdim, Smith tha se kompania kishte gjetur prova që mbështesnin elementë të raportimit të “The Guardian”.

“Kjo lidhet me përdorimin e shërbimeve të IA-së dhe qasjen në kapacitetin e ruajtjes së “Microsoft Azure” në Holandë”, shtoi ai.

“Microsoft” kërkon të sigurojë që shërbimet tona të mos përdoren për mbikëqyrje masive të civilëve”, tha Smith duke shpjeguar vendimin, i cili tha se i ishte komunikuar Ministrisë së Mbrojtjes së Izraelit. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›