Lamallari pret përfaqësueset e Këshillit të Evropës: Çmojmë ekspertizën e KiE në hartimin e Kodit të ri Penal

TIRANË, 26 shtator /ATSH/ Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari priti sot në një takim Lilja Gretarsdottir, drejtuese e Departamentit të të Drejtave të Njeriut, Drejtësisë dhe Bashkëpunimit Ligjor në Këshillin e Evropës, si dhe Giulia Re, drejtuese e zyrës së KiE në Tiranë.
Gjatë takimit, Lamallari bëri të ditur se palët diskutuan për bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi pasur në forcimin e shtetit të së drejtës, respektimit të të drejtave të njeriut, qeverisjen demokratike dhe harmonizimin e kuadrit ligjor shqiptar me standardet europiane.
“Çmojmë shumë ekspertizën e lartë të Këshillit të Evropës në hartimin e Kodit të ri Penal, për të cilin kemi nisur tashmë një proces konsultimi gjithëpërfshirës e transparent”, theksoi Lamallari.
Ministri bëri të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale se gjatë diskutimit ndau edhe prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë si pjesë e Programit Qeverisës 2025-2029, në përputhje të plotë dhe me procesin e negociatave me Bashkimin Evropian.
“Do të vijojmë bashkëpunimin e ngushtë me Këshillin e Europës edhe në një sërë projektesh konkrete për asistencë teknike, trajnime dhe mbështetje në kuadër të konsolidimit të mëtejshëm të reformës në drejtës”, shkruan Lamallari.
1 nga 4/m.q/j.p/