Danimarka dhe Gjermania drejt ndalimit të medieve sociale për fëmijët nën moshën 16 vjeç

MADRID, 3 shkurt /ATSH-DPA/ – Në Australi, fëmijëve nën moshën 16 vjeç u është ndaluar të kenë llogaritë e tyre në shumë platforma kryesore.
Në Britaninë e Madhe, Dhoma e Lordëve votoi gjithashtu në favor të ndalimit të mediave sociale për personat nën 16 vjeç javën e kaluar, i cili tani duhet të miratohet nga Dhoma e Komuneve.
Në Danimarkë, qeveria ra dakord së bashku me opozitën, për të ndaluar mediet sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç.
Vendimi për ndalimin e rrjeteve sociale, gjithashtu po diskutohet në Gjermani.
Gjithashtu, Greqia është “shumë afër” njoftimit të ndalimit të përdorimit të mediave sociale nga fëmijët nën moshën 15 vjeç, njoftoi sot një burim qeveritar, sipas “Reuters”.
Ministria e Qeverisjes Digjitale është e përgatitur të ecë përpara me masën, duke parë aplikacionin “Kids Wallet”, të lançuar vitin e kaluar, si një mjet për të zbatuar ndalimin.
Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis pritet të bëjë një njoftim zyrtar, megjithëse koha nuk është konfirmuar ende.
Më herët, Spanja tha se po planifikonte të ndalonte mediet sociale për fëmijët nën moshën 16 vjeç dhe se do të krijonte një ligj për t’i vendosur drejtuesit e mediave sociale përpara përgjegjësise për gjuhën e urrejtjes në platformat e tyre.
“Spanja po planifikon ndalimin e medieve sociale për fëmijët nën moshën 16 vjeç, duke ndjekur shembullin e Australisë. Spanja tani po i vë fjalët e saj në veprim”, tha sot kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez në Samitin Botëror të Qeverive, në Dubai. //a.i/