E Diel, 1 Nëntor 2026

Debat në Parlament për 11 majin/ Bylykbashi: Mafia bleu zgjedhjet. Balla: Morët 300 mijë vota më pak

Vetëm 15 deputetë nga 62 që ka opozita shkuan në seancë plenare sot për të ngritur shqetësimin për problemet e zgjedhjeve të 11 majit.

Partia Demokratike shfrytëzoi foltoren e Kuvendit për të akuzuar Partinë Socialiste se përdori bandat dhe burimet shtetërore për të deformuar vullnetin e shqiptarëve dhe gjatë seancës nuk munguan momentet e tensionit.

“Kur opozita thotë të vërtetën ju thoni po sulmohet Shqipëria po kur vidhet 400 milionë euro me inceneratorin”, tha Flamur Noka.

“Nuk është për procedure. Hajde je i përjashtuar nga seanca”, tha kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali.

Sipas PD krimi ndikoi në rezultatin e PS dhe të kandidatëve më të votuar të mazhorancës. Por mazhoranca rrëzoi pretendimet e opozitës duke i kujtuar se në 11 maj morën 300 mijë vota më pak se Partia Socialiste

“Falcone thotë ndiq paranë dhe do gjesh mafian. Këto zgjedhje treguan se mjafton të ndjekësh votat e deputetëve të Partisë Socialiste dhe do gjesh mafian dhe Edi Ramën bashkë”, tha nënkryetari i PD-së, Oerd Bylykbashki.

“Zgjedhjet kanë përfunduar! Partia Socialiste e Shqipërisë ka marrë 856.177 vota. Ju keni 529.354 vota, diku te 300 mijë e kusur më pak. Se ku ju kanë shkuar votat, gjeni ku i keni votat tuaja!”, tha ministri Taulant Balla./vizionplus.tv 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›