Debat në gjyqin ndaj Veliajt, avokati: Po lexon ende dosjen në qeli. Prokurori: Strategji për zvarritjen e procesit

Gjatë procesit gjyqësor për dosjen “Veliaj” pati debate të forta. Mbrojtja dhe akuza u përballën në Gjykatën e Posaçme, pas kërkesës për shtyrjen e seancës. I pandehuri, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj nuk ishte i pranishëm në sallë, sepse sipas avokatit të tij Plarent Ndreca po lexon ende dosjen në qeli.
Por prokurori Ols Dado e quajti këtë një justifikim të Erion Veliajt për të shtyrë sa më shumë procesin.
“Kemi 8 muaj që nuk arrijmë dot të futemi në proces ligjor. Kjo është qartazi një strategji për të zvarritur procesin. Është sjellja e Erion Veliajt dhe avokatit të tij. Kërkesën për ndarje të çështjes ndaj Fatmir Bektashit që kërkon avokati Sokol Hazizaj e shikojmë të pabazuar në ligj”, tha prokurori Dado.
Ndërkaq, brenda dhe jashtë seancës Ndreca shprehu gatishmërinë e të mbrojturit prej tij, Veliaj për të marrë pjesë në proces, por gjithmonë, kur fjala është për një seancë të përligjur juridikisht.
“Veliaj është i vendosur të nxjerrë të vërtetën para qytetarëve që e kanë votuar për 3 mandate. Në seancë nuk ka qenë i pranishëm se sepse nuk është njohur me të gjithë dosje që është shumë voluminoze, po lexon deri në 200- 300 faqe në ditë. Nxitimi po bëhet që procesi të mos jetë i rregullt”, tha Ndreca.
Megjithatë seanca e tretë gjyqësore e dosjes “Veliaj” ishte e destinuar të shtyhej, kjo për shkak se avokati Artan Simoni nuk ishte i pranishëm. Në këto kushte palët do të përballen sërish të premten në gjykatën antikorrupsion.
Kryetari i bashkisë së Tiranës akuzohet për korrupsion pasiv në 13 episode të ndryshme, pastrim parash, shpërdorim detyre, mosdeklarim të ardhurash në bashkëpunim. Sipas organit të akuzës ai shfrytzoi postin e qytetarit të parë të kryeqytetit për t’i krijuar kushte gruas së tij përmes një skeme korruptive të ndërlikuar. /vizionplus.tv