E Hënë, 2 Nëntor 2026

Debate në Kuvend, Peleshi përjashton Bardhin dhe ndërpret seancën

TIRANË, 16 tetor /ATSH/ Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, përjashtoi sot nga seanca plenare kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhin, pas debateve në seancë.

Ndërsa u shkëmbyen replika mes deputetit Balliu dhe kreut të grupit parlamentar të PS-së, Balla, Bardhi kërkoi fjalën për replikë, por që nuk u lejua nga Peleshi pasi kishte nisur raportimi i komisionerit kundër Diskriminimit, Robert Gajda.

“Je i paaftë”, përsëriti Bardhi për disa herë rresht nga vendi në sallën e Kuvendit duke iu drejtuar Peleshit.

Peleshi ndëshkoi Bardhin duke i hequr fillimisht të drejtën e fjalës. Pas protestave të deputetit të PD-së, urdhri i radhës i Peleshit ishte nxjerrja e Bardhit nga seanca.

“Në bazë të Rregullores ju jap masën e tretë, ju hiqet e drejat e fjalës për gjithë ditën e sotme. Po marr masën e katërt për ju, përjashtoheni nga seanca, largohuni, lini sallën!”, tha Peleshi.

Gjithashtu, Peleshi ka paralajmëruar edhe deputetin tjetër të PD, Klevis Balliu, të cilit i hoqi të drejtën e fjalës për këtë seancë.

Por momentet e tensionit nga deputetët e PD vijuan, pasi Bardhi nuk pranoi të linte sallën dhe Peleshi ndërpreu seancën për 5 minuta.

/m.q/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›