Debate për “Territorialen” në Vlorë/ PS e PD përballë qytetarëve

Këtë të martë, në Vlorë, po zhvillohet mbledhja e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale.
Këtë herë në një seancë dëgjimore në Pallatin e Kulturës “Labëria”, ku po trajtohen çështjet kyçe që lidhen me reformën dhe funksionimin e pushtetit vendor.
Në fjalën e tij, Arbjan Mazniku (bashkëkryetar i Komisionit të Reformës Territoriale nga PS) theksoi rëndësinë që ka bashkia në jetën e përditshme të qytetarëve, duke e cilësuar reformën si një nga më të rëndësishmet dhe më efektivet në vend.
Ai solli në vëmendje përmirësime në menaxhimin financiar të bashkive, duke deklaruar se shpenzimet për paga dhe sigurime janë ulur nga rreth 72% në rreth 45%, duke synuar rritjen e eficiencës së tyre.
Po ashtu, ai nënvizoi nevojën për të marrë parasysh ndjeshmëritë territoriale dhe objektivin e përmbylljes së negociatave me Bashkimin Europian në vitin 2027.
Nga ana tjetër, Luçiano Boçi (bashkëkryetar i Komisionit të Reformës Territoriale nga PD) e cilësoi reformën e viteve 2014-2015 si të dështuar për disa bashki, përfshirë Vlorën, duke iu referuar edhe një raporti të Bankës Botërore.
Sipas tij, reforma ka sjellë më pak kompetenca dhe funksione për pushtetin vendor, më shumë centralizim dhe varësi nga qendra, si dhe rritje të hapësirave për abuzim.
Ai theksoi gjithashtu nevojën për dëgjesa reale me qytetarët, jo vetëm formale apo për vlerësime pozitive.
Aktualisht po flasin edhe qytetarë të pranishëm në sallë, si dhe përfaqësues të opozitës.
Njëri prej tyre shpërtheu në tone të ashpra duke thënë: Na keni mbledhur kot, kjo është krejtësisht politike!
“Reforma ka ikur nga qytetari për te qeveritari”, shtoi ai.
Kjo është dëgjesa e katërt në turin kombëtar për këtë reformën, e cila fokusohet në tre shtylla kryesore: territori dhe qeverisja, funksionet dhe shërbimet publike, si dhe financat vendore.