Debatet në grupin e PS, reagon për herë të parë Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë për debatet që janë zhvilluar pak ditë më parë në mbledhjen e grupit të PS.
Në media u raportua për një përplasje mes Ramës dhe Elisa Spiropalit, e cila sipas burimeve të brendshme kanë qenë me tone të ashpra.
Rama, gjatë një takimi me banorët e njësisë 14, ka pranuar që ka pasur një debat, por shtoi se në disa orë mbledhje, asnjë media nuk raportoi çështjen e tjera që u diskutuan, por vetëm debatet mes tyre.
“Tani kemi pasur edhe një diskutim të gjatë në mbledhjen e zgjeruar të qeverisë me grupin parlamentar. Është një praktikë e re çdo fund muaji për të folur me deputetët, ministrat edhe për të marrë shqetësimet, por edhe për të për t’u fokusuar në tema me rëndësi për të gjithë, edhe legalizimet dhe kadastra ishin në fokus të mbledhjes së kësaj radhe.
Natyrisht që mediat kombëtare kanë gjëra më të rëndësishme për të informuar, çfarë i thashë unë njërit dhe çfarë i thashë unë tjetrës, në një mbledhje nga ora 11 deri në orën 6 pasdite ku ne folëm gjerë e gjatë për pronat, për shërbimet në kadastër, për legalizimet, për reformat administrative territoriale, për skenarët se si duhet të rishikojmë hartën e shërbimeve në territor.
Në çdo rast, hap atë pasqyrën e celularit, shko shih portal më portal, kanal më kanal, po gjete gjë për legalizimet, po gjete gjë për infrastrukturën, po gjete gjë për arsimin, po gjete gjë për shëndetësinë, po gjete gjë për çfarë po bën qeveria për çështjen e naftës, po gjete gjë për çfarë ka ndodhur, çfarë po ndodh, çfarë do ndodhë me pagat, po e gjete kund që ne tani do të paguajmë të gjitha sigurimet shoqërore të nënave dhe të personave kujdestarë të fëmijëve me aftësi të veçanta – atëherë ky do ishte një lajm shumë i madh për mua, ju lutem ndaheni dhe me mua. Më çoni mesazh thoni ja ku e ke, e pashë dhe e lexova një gjë që më intereson”, tha Rama./vizionplus.tv