E Diel, 1 Nëntor 2026

Debati për pagat e gjyqtarëve, kryetarja e “Kushtetueses”: Deklaratat e Ramës nuk janë presion

Në kulmin e debateve për pagat e gjyqtarëve ka reaguar kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj.

Duke siguruar paanshmërinë e institucionit të drejtuar prej saj, ajo iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve nëse është ndjerë nën presion nga politika, që e ka kundërshtuar kërkesën e Unionit të gjyqtarëve për rritje të rrogës.

“Gjykata doli dje me një deklaratë se detyra jonë është të garantojmë publikun që gjykata funksionon e pavarur, e paanshme, sigurisht me mendimet që vijnë nga të gjitha anët ndonjëherë edhe mendimet që jep media. Në thelb është që të sigurojmë publikun që ne jemi të paanshëm pavarësisht si bëjnë… Nuk beosj se deklarata (e Ramës) është presion, janë deklarata të zakonshme të palëve në proces, ju në media i jepni më shumë se ç’duhet zë opinioneve”, tha Zaçaj.

Sipas Zacajt vendimmarrjet e Kushtetueses tregojnë stadin e demokracisë.

“Kemi ende punë për të bërë por në mazhoritetin e vet vendimet tona janë të zbatueshme… vendime të caktuara për të cilat politika merr koston e vet nëse nuk i zbaton, kur flasim për pushtete të tjera. E rëndësishme është që gjykata funksionon”, tha Zaçaj.

Të mërkurën, kryeministri, Edi Rama e cilësoi kërkesën e unionit të gjyqtarëve për rritjen e pagës me 700 euro, lajthitje.

Sipas kreut të qeverisë, kërkesa është e pavend pasi tre vite me parë gjyqtarët përfituan rritjen e pagave.

Aktualisht, Gjykata Kushtetuese ka vendosur të shqyrtojë çështjen në seancë plenare./vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›