Moti i keq në Qarkun e Gjirokastrës, Frashëri dhe Zagoria të izoluara nga dëbora e rrëshqitjet e dherave, akset rrugore ku qarkullimi ka ende vështirësi, 4 familje mbeten të evakuuara

Prefektura e Qarkut Gjirokastër ka publikuar raportin e orës 19:00 (9 Janar 2026), duke dhënë një panoramë të përballjes me motin e keq që ka përfshirë këtë zonë në Jug të vendit. Ndërsa niveli i lumit Vjosë raportohet në kuota të kontrolluara (3.5 m në Memaliaj dhe 2.6 m në Përmet) dhe furnizimi me energji është i plotë, infrastruktura rrugore duket se mbetet “thembra e Akilit” në disa zona të thella.
Zonat e izoluara dhe problematike
Sipas raportit, reshjet e dëborës që arrijnë deri në 40 cm dhe rrëshqitjet masive të dherave mbajnë të bllokuar Njësinë Administrative Frashër në Përmet. Situatë e ngjashme paraqitet në Zagori (Libohovë), ku fshatrat Dhiar, Topovë dhe Zhej janë të izoluar nga inertet.
Në Këlcyrë, rruga e fshatit Mbrezhdan u hap gjatë ditës, por u bllokua sërish në mbrëmje, duke shtyrë ndërhyrjen për ditën e nesërme. Gjithashtu, në Dropull mbetet problematike Ura e Glinës.
Qarkullimi me vështirësi
Dy akse kryesore kalohen vetëm me një korsi për shkak të dëmtimeve:
Tepelenë–Gjirokastër, te “Shkalla e Zezë”.
Përmet – Dogana e Tre Urave, në hyrje të fshatit Petran.
Ndërkohë, po punohet në km 17 të aksit Gjirokastër-Tepelenë për të riparuar argjinaturën e gërryer të lumit Drino.
Evakuimet dhe normalizimi
Në Përmet, lagjja “Sede” është pastruar nga balta, por për siguri, 4 familjet e evakuuara do të vijojnë të qëndrojnë në konvikt. Lajme të mira vijnë nga Antigonea, ku riparimi i urës ka zhbllokuar fshatrat Krinë dhe Saraqinishtë, si dhe nga Kurveleshi ku rrugët janë hapur me fadroma dhe kripë.
/rtsh.al/