Degjoni: Zhvillimi profesional i stafit mbetet prioritet i QSUT-së

TIRANË, 7 korrik/ATSH/ Koordinatorët, recepsionistët dhe administratorët e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” zhvilluan një trajnim dyditor, nismë që pasqyron angazhimin e vazhdueshëm për rritjen e cilësisë së shërbimit dhe përmirësimin e komunikimit me pacientin.
E pranishme në këtë trajnim, drejtoresha e përgjithshme e QSUT, Rudina Degjoni, theksoi se zhvillimi profesional i stafit mbetet prioritet, duke nënvizuar se investimi te burimet njerëzore është çelësi për ofrimin e një shërbimi shëndetësor cilësor, profesional dhe duke vendosur në qendër pacientin.
“Përfunduam me sukses trajnimin dyditor të koordinatorëve, recepsionistëve dhe administratorëve sipas shërbimeve përkatëse. Qëllimi kryesor i këtij trajnimi është fuqizimi i rolit dhe komunikimit të stafit në lidhje me rritjen e reputacionit të institucionit tonë”, tha Degjoni.
Trajnime të tilla do të vijojnë edhe në të ardhmen, si pjesë e angazhimit të QSUT për të forcuar aftësitë profesionale të stafit, për të rritur standardet e shërbimit dhe për të garantuar një kujdes gjithnjë e më cilësor për çdo pacient.
“Ky trajnim nuk do të mbetet vetëm me kaq, do ta zgjerojmë edhe në shërbimin infermieror dhe më vonë edhe për mjekët e rinj specialistë, për të rritur e krijuar një marrëdhënie të re besimi midis qytetarëve që marrin shërbim dhe stafit të QSUT-së”, tha Degjoni.
/k.s/j.p/r.e/