E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Del foto e 21-vjeçarit shqiptar që vrau nënën në Itali, e goditi 10 herë me thikë

Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Chiarit, në provincën e Breshias në Itali, ku një 21-vjeçar me origjinë shqiptare dyshohet se ka vrarë me thikë nënën e tij 39-vjeçare.

Viktima është identifikuar si Meleqe Lusha, ndërsa i dyshuari për vrasjen është djali i saj, Eduart Xhani. Sipas mediave italiane, gruaja është goditur rreth dhjetë herë me thikë në pjesën e sipërme të trupit. Numri i saktë i plagëve pritet të përcaktohet nga autopsia e urdhëruar nga prokuroria.

Krimi dyshohet se ka ndodhur gjatë natës mes 2 dhe 3 nëntorit, në banesën ku nënë e bir jetonin së bashku. Ata ishin zhvendosur në këtë apartament në muajin gusht.

Pas ngjarjes, 21-vjeçari është larguar nga vendi i krimit, por më pas është paraqitur vetë në komisariatin e karabinierëve në Kremona, ku ka rrëfyer atë që kishte ndodhur. Autoritetet kanë lëshuar urdhrin e ndalimit ndaj tij dhe ai është dërguar në burg.

Reklamë

Eduart Xhani ka lindur në San Bonifacio të Italisë, gjatë periudhës kur nëna e tij kishte jetuar atje, mes viteve 2005 dhe 2008. Familja ishte larguar nga qyteti kur ai ishte ende shumë i vogël.

Ngjarja ka tronditur komunitetin shqiptar në Chiari.

Kryetari i bashkisë së Chiarit, Gabriele Zotti, e cilësoi ngjarjen si të pashpjegueshme, duke theksuar se familja ishte e njohur në zonë dhe nuk kishte pasur shenja që të paralajmëronin një tragjedi të tillë.

Edhe Denis Beqiri, kryetar i shoqatës së shqiptarëve në Chiari, u shpreh i tronditur nga ngjarja. Ai tha se e njihte 21-vjeçarin, pasi ky i fundit kishte kryer praktikën shkollore në agjencinë e tij imobiliare.

Sipas Beqirit, i riu ishte i sjellshëm, korrekt dhe serioz, ndërsa edhe nënën e tij e përshkroi si një grua shumë të mirë, e cila e kishte rritur të birin e vetme, me mbështetjen e familjarëve të saj.

“Jemi të tronditur. Nuk i dimë arsyet e këtij veprimi dhe nuk arrijmë ta kuptojmë. Por është e pafalshme dhe nuk përfaqëson komunitetin tonë”, u shpreh ai.

Hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat dhe motivin e vrasjes.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›