E Diel, 1 Nëntor 2026

Delegacioni i PPE takim me deputetë të PD, Bardhi: Sinjal se zhvillimet në Shqipëri janë në fokusin evropian

TIRANË, 25 shkurt /ATSH/ Deputetë të Partisë Demokratike, pjesë e kryesisë së grupit parlamentar, u takuan sot në kryesinë e Kuvendit me përfaqësues nga 28 parti simotra të Partisë Popullore Evropiane, përfshirë eurodeputetë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, theksoi se gjatë takimit u zhvillua një diskutim i hapur dhe serioz, ku sipas tij u trajtuan çështjet që shqetësojnë çdo qytetar.

“Zgjedhjet, deformimi i demokracisë, kapja e institucioneve, pengimi i drejtësisë dhe rreziku i një shteti të dominuar nga interesa kriminale”, theksoi Bardhi, ishin disa nga çështjet që trajtuan.

Sipas tij “ky mision faktmbledhës nuk është thjesht një vizitë protokollare. Është një sinjal i fortë se zhvillimet në Shqipëri janë tashmë në fokusin evropian. Rezolutat e PPE-së po konkretizohen me verifikim në terren dhe me dëgjimin e fakteve”.

Bardhi gjithashtu falënderoi Partitë Popullore Evropiane për mbështetjen dhe vëmendjen ndaj Shqipërisë.

/m.q/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›