Projekt i ri për strehimin social në Korçë

TIRANË, 25 shkurt /ATSH/ Strehimi social vijon të mbetet një ndër prioritetet kryesore të bashkisë së Korçës, në kuadër të forcimit të politikave sociale dhe mbështetjes për familjet në nevojë.
Kryetari i bashkisë, Sotiraq Filo zhvilloi një takim me drejtorin e përgjithshëm të Entit Kombëtar të Banesave, Besmir Hysa, me të cilin diskutoi mbi projektin e ri të strehimit social në qytet.
Filo tha se, “projekti përbën një investim të rëndësishëm që synon të adresojë drejtpërdrejt nevojat e familjeve në vështirësi ekonomike, duke kontribuar në uljen e numrit të familjeve të pastreha dhe garantimin e kushteve dinjitoze të jetesës”.
Sipas tij, bashkëpunimi me Entin Kombëtar të Banesave konsiderohet një hap konkret drejt ndërtimit të një të ardhmeje më të sigurt për familjet korçare, si dhe forcimit të programeve të strehimit social në nivel vendor.

/e.xh/r.e/