Demo i përgjigjet Kaprit: Protesta paqësore është e drejtë kushtetuese, dhuna nuk justifikohet - ATSH -
TIRANË, 4 nëntor/ATSH/ Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, gjatë diskutimit të projektbuxhetit 2027, sot në Komisionin parlamentar për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, iu përgjigj deputetit të opozitës, Erald Kapri, duke sqaruar se dhuna ndaj Policisë së Shtetit gjatë protestave nuk mund të justifikohet me argumentin e së drejtës për të protestuar.
Duke iu referuar situatës së krijuar gjatë protestave, ministri Demo nënvizoi se Policia e Shtetit ka detyrimin të garantojë ushtrimin e së drejtës kushtetuese për të protestuar në mënyrë paqësore, por kjo e drejtë nuk mund të përdoret si justifikim për akte dhune ndaj punonjësve të Policisë, institucioneve apo pronës private.
“Policia e Shtetit është aty për të mbrojtur të drejtën kushtetuese dhe për ta garantuar të drejtën kushtetuese të kujtdo që do të protestojë paqësisht. Por është e padrejtë që ne, në kuadër të kësaj të drejte, të mbrojmë edhe dhunën, që është, me doza të tejskajshme, që mund të japin dëmtime të rënda, siç kanë dhënë tek punonjësit e Policisë së Shtetit”, u shpreh ministri.
Demo garantoi gjithashtu se standardi i institucioneve është i qartë: hetim dhe përgjegjësi për çdo rast të shkeljes së ligjit, pavarësisht nëse bëhet fjalë për veprime të punonjësve të Policisë apo për akte dhune ndaj tyre dhe institucioneve publike.
Në këtë drejtim, ai bëri të ditur se aktualisht janë 9 punonjës policie të pezulluar, për raste specifike dhe veprime individuale, ndërsa rreth 50 raste janë nën hetim nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP). Po ashtu, AMP dhe Policia e Shtetit po bashkëpunojnë me Prokurorinë për rastet e referuara pranë saj.
“Ne jemi të hapur kundrejt çdo hetimi dhe, në të njëjtën kohë, jemi po aq të vendosur që t’i shkojmë në fund të gjitha rasteve të ushtrimit të dhunës ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit apo institucioneve. Ky është standardi. Ky është një standard ligjor që, në fakt, në këtë sallë ne duhet ta mbështesim të gjithë”, theksoi Demo.
Në përfundim, ministri nënvizoi se projektbuxheti i vitit 2027 synon të rrisë mbështetjen për Policinë e Shtetit, jo vetëm përmes përmirësimit të trajtimit financiar të punonjësve, por edhe nëpërmjet investimeve në logjistikë dhe mjete të nevojshme për përmbushjen e detyrave.
“Mbështetja më e madhe për Policinë e Shtetit, qoftë me pagat, por edhe me të gjithë logjistikën e nevojshme për të ushtruar funksionet e saj dhe për të garantuar nivele më të larta të profesionalizmit”, ishte mesazhi përmbyllës i ministrit Demo.
Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, kërkoi nga ministri i Brendshëm, Ervin Demo, informacion mbi shpenzimet e Policisë së Shtetit për pajisjet e përdorura gjatë protestave. Kapri kërkoi të dijë sa kanë kushtuar automjetet e reja ujëhedhëse, si dhe ngriti shqetësime për përdorimin e dronëve dhe gazit lotsjellës ndaj protestuesve. Ai kërkoi informacion edhe për rastin e të riut Erion Vishvulli, i cili, sipas tij, po trajtohet në Itali pas dëmtimit të syrit nga një plumb gome.
Kapri ngriti gjithashtu çështjen e arrestimeve dhe gjobave ndaj protestuesve, si dhe kërkoi të dijë nëse ka efektivë policie që po ndiqen penalisht për veprimet gjatë tubimeve.
/gj.m/r.e/a.f/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
