SHBA - Fitorja e demokratëve në Kongres, paralajmërohen hetime për vendimet e administratës Trump - ATSH -
UASHINGTON, 4 nëntor /ATSH/ – Fitorja e demokratëve në zgjedhjet afatmesme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe marrja e kontrollit të të dy dhomave të Kongresit, pritet të ndryshojë ndjeshëm marrëdhëniet mes Shtëpisë së Bardhë dhe ligjvënësve amerikanë, duke i hapur rrugën një vale hetimesh ndaj presidentit Donald Trump, familjarëve të tij dhe zyrtarëve të administratës, sipas “Reuters”.
Demokratët kanë fituar shumicën si në Dhomën e Përfaqësuesve, ashtu edhe në Senat. Kjo do t’u japë atyre kontrollin e komisioneve kryesore parlamentare dhe kompetenca më të gjera për të mbikëqyrur veprimtarinë e administratës Trump.
Me marrjen e detyrës në janar, demokratët pritet të përdorin kompetencat e Kongresit për të kërkuar dokumente, për të thirrur dëshmitarë dhe për të zhvilluar seanca dëgjimore mbi vendimet e presidentit dhe administratës së tij.
Çështjet që mund të hetohen
Një nga prioritetet e demokratëve do të jenë marrëdhëniet e biznesit të familjes Trump dhe mënyra se si ato mund të jenë ndikuar nga pozicioni i presidentit.
Ligjvënësit demokratë kanë shprehur interes për marrëveshjet e biznesit të familjarëve të Trump, përfshirë aktivitetet në sektorët e kriptomonedhave, teknologjisë dhe investimeve.
Në fokus mund të jetë edhe kompania e investimeve “1789 Capital”, ku Donald Trump Jr., djali i presidentit, është partner. Demokratët duan të shqyrtojnë gjithashtu marrëdhëniet financiare me fonde dhe investitorë të huaj, për të përcaktuar nëse ka pasur konflikte të mundshme interesi.
Një tjetër çështje e rëndësishme është mënyra se si administrata ka trajtuar dosjet që lidhen me financierin e dënuar për krime seksuale Jeffrey Epstein. Demokratët kërkojnë të shqyrtojnë publikimin e dokumenteve, vonesat dhe mënyrën se si Departamenti i Drejtësisë ka menaxhuar këtë proces.
Një hetim tjetër mund të përqendrohet te operacionet e Shërbimit të Emigracionit dhe Doganave (ICE), si dhe politikat e administratës për dëbimin e emigrantëve.
Në listën e çështjeve të mundshme përfshihen gjithashtu veprimtaria e Departamentit të Shëndetësisë, i drejtuar nga Robert F. Kennedy Jr., dhe marrëdhëniet mes kompanive private dhe zyrtarëve të qeverisë.
Lufta me Iranin dhe operacionet jashtë vendit
Politika e jashtme e Trump do të jetë gjithashtu nën vëzhgimin e demokratëve.
Komisioni i Punëve të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve pritet të shqyrtojë vendimet e administratës lidhur me luftën me Iranin, si dhe operacionet amerikane në Venezuelë.
Në këtë të fundit, demokratët kanë shprehur interes për sulmet ushtarake amerikane ndaj mjeteve lundruese, të dyshuara për trafik droge në Karaibe dhe në Oqeanin Paqësor, si dhe për bashkëpunimin e administratës me kompani private në sektorin e naftës venezueliane.
Një tjetër çështje që mund të hetohet është projekti i Trump për ndërtimin e një salle të madhe ballore në Shtëpinë e Bardhë. Demokratët duan të shqyrtojnë kostot e projektit, financimin dhe rolin e kompanive që kanë kontribuar në të.
A mund të shkarkohet Trump?
Marrja e shumicës në Kongres u jep demokratëve mundësinë të nisin edhe procedura të reja për shkarkimin e presidentit, por kjo nuk do të thotë se Trumpi rrezikon automatikisht të largohet nga detyra.
Dhoma e Përfaqësuesve ka kompetencën të miratojë nenet e shkarkimit, ndërsa vendimi përfundimtar i takon Senatit, ku kërkohet një shumicë prej dy të tretash për shpalljen fajtor dhe largimin e presidentit.
Megjithatë, demokratët kanë sinjalizuar se prioriteti fillestar do të jetë mbledhja e provave përmes hetimeve parlamentare dhe jo nisja e menjëhershme e një procedure të re shkarkimi.
Çfarë ndryshon për Trump?
Përveç hetimeve, kontrolli demokrat i të dy dhomave do ta bëjë më të vështirë miratimin e ligjeve dhe zbatimin e programit politik të presidentit.
Senati do të ketë një rol të rëndësishëm në shqyrtimin dhe miratimin e emërimeve të ambasadorëve, ministrave dhe gjyqtarëve federalë, ndërsa demokratët mund të bllokojnë ose të vonojnë kandidaturat e propozuara nga Shtëpia e Bardhë.
Nga ana tjetër, Trump do të ruajë kompetencat presidenciale, përfshirë të drejtën e vetos ndaj ligjeve të miratuara nga Kongresi.
Fitorja e demokratëve shënon kështu një ndryshim të rëndësishëm në ekuilibrin e pushtetit në Uashington. Dy vitet e fundit të mandatit të Trump pritet të shoqërohen me përballje më të forta politike, hetime parlamentare dhe negociata të vështira për ligjet dhe buxhetin federal. //a.i/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
