E Martë, 3 Nëntor 2026

Denaj: Mbështetja për fermerët po modernizon bujqësinë në zonat rurale


TIRANË, 18 qershor/ATSH/ Në fshatin Gjocaj të Peqinit, Arian Karina është një nga fermerët që prej 9 vitesh ka ndërtuar me përkushtim një fermë pemëtarie me sipërfaqe prej 2 hektarësh, ku kultivon me sukses nektarina, pjeshkë, kajsi dhe ullinj.

Prodhimi i tij gjen treg në vend dhe jashtë kufijve, duke ndihmuar jo vetëm në përmirësimin e ekonomisë familjare, por edhe në gjallërimin e jetës ekonomike në zonën përreth.

Karina është përfitues i Skemës Kombëtare të Investimeve, përmes së cilës ka marrë mbështetje financiare nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) për blerjen e një traktori dhe agregatëve të nevojshëm për punën në fermë. Investimi ka sjellë përmirësim të ndjeshëm të proceseve bujqësore dhe një rritje të efikasitetit në punë.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, vlerësoi se procedurat e aplikimit për përfitimin nga skema janë tashmë të thjeshtuara dhe të shpejta, duke e bërë më të lehtë aksesin në mbështetje për fermerët.

“Sot, kjo mbështetje po kontribuon në modernizimin e fermës, duke lehtësuar dhe përshpejtuar punën me mekanikën bujqësore”, u shpreh ministrja Denaj.

Vetë Ariani tregon se ka aplikuar në muajin shtator të vitit të shkuar përmes Skemës Kombëtare të Investimeve dhe se procesi ishte i shpejtë dhe i qartë.

“Brenda një kohe të shkurtër u shpalla fitues, lidha kontratën dhe u pagova për blerjen e traktorit dhe agregatëve,” shprehet ai, duke e vlerësuar mbështetjen si thelbësore për zhvillimin e mëtejshëm të fermës së tij.

Rasti i Arian Karinës është një shembull konkret i funksionimit të mbështetjes institucionale ndaj fermerëve dhe i ndikimit pozitiv që ajo ka në zhvillimin e bujqësisë, në rritjen e konkurrueshmërisë dhe në nxitjen e qëndrueshmërisë ekonomike në zonat rurale. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›