Denaj: Mbështetje agroturizmeve për fuqizimin e ekonomisë rurale

TIRANË, 23 qershor /ATSH/ “Kodra e Godenve” në Rrogozhinë është një sipërmarrje agroturistike në Vilë-Bashtovë që i jep jetë traditës, mikpritjes dhe shijes autentike shqiptare.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ndau sot në rrjete sociale pamje nga kjo sipërmarrje e cila, siç tha ajo, “është kthyer në një pikë referimi për turizmin rural, falë përkushtimit dhe vizionit të 28-vjeçarit Hakim Ormeni”.
Denaj tha se “në bashkëpunim të ngushtë me fermerët vendas, ai servir në restorantin e tij, produkte cilësore “Made in Albania”, një kombinim i shkëlqyer i natyrës, kulturës dhe bujarisë shqiptare, që fuqizon zinxhirin e vlerës dhe nxit punësimin në zonë”.
Ministrja shprehu angazhimin e qeverisë për mbështetjen e këtij sektori përmes instrumenteve të rinj të financimit.
“Përmes Skemës Kombëtare të Investimeve, me 50% grant dhe mbështetjes nga Kredia e Butë të kombinuar me Garancinë Sovrane, çdo fermer mund të përfitojë financim me normë interesi vetëm 2% dhe mbulim kolateral deri në 70%, ndërsa për zonat malore mbështetja është edhe më e madhe, falë Paketës së Maleve”, tha Denaj.
Ndërsa Hakimi tregon se me sipërmarrjen që ka ngritur, synon t’i sjellë njerëzit sa më afër tokës, përmes ushqimeve të freskëta dhe gatimeve tradicionale.
“Ne kemi investuar në ngritjen e një agroturizmi me të gjithë elementët e tij, me restorantin, pishinën, dhomat e akomodimit, pistën e hipizmit me kuaj dhe kompleksin me disa lloje kafshësh e shpendësh që janë të pëlqyera veçanërisht nga fëmijët”, tha ai, teksa shprehu interes për zgjerimin e investimeve në agrobiznesin e tij përmes instrumenteve të financimit që ka prezantuar qeveria shqiptare.
1 nga 7/r.e//a.f/