Denaj: Ngremë shtatë laboratorë për garancinë e cilësisë ushqimore

TIRANË, 22 prill/ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, bëri të ditur se është lehtësuar mënyra e aplikimit të fermerëve për skemën e subvencioneve në bujqësi, duke u larguar disa burokraci që lidhen me dokumentet e vendndodhjes së fermës.
Në një intervistë në medie, Denaj tha se për vitin 2025 është rritur fondi i skemës së mbështetjes në bujqësi duke shkuar rreth 4,4 miliardë lekësh.
Sipas saj, skema ka për qëllim uljen e kostove të prodhimit dhe përmirësimin e cilësisë së produkteve bujqësore dhe blegtorale.
Aplikimet për përfitim nga kjo skemë janë hapur më 14 prill dhe do të vijojnë deri më 30 maj, ku deri më tani kanë aplikuar 20 mijë fermerë dhe blegtorë. Ministrja Denaj tha se, këtë vit, dy janë risitë e skemës kombëtare të mbështetjes në bujqësi, ajo e mbështetjes për fermerët që zëvendësojnë pesticidet me insekticide më të sigurta dhe nxitje për mbarështimin e viçave.
“Skema e subvencioneve është një skemë e përvitshme dhe u vjen fermerëve për të ulur kostot e prodhimit. Këtë vit kemi një fond më të lart se vitin e kaluar me një fond prej gati 4,4 miliardë leke është vënë në dispozicion të fermerëve për të aplikuar nga 14 prilli deri më 30 maj. Fermerët janë duke aplikuar për të tetë masat që kemi vendosur me dy risi. E para, lidhet me mbështetjen që i bëjnë fermerëve që zëvendësojnë përdorimin e pesticideve me insekticide që të rritet vlera e produkteve. E dyta, është mbarështimi i viçave që nxit prodhimin në vend. Skema kombëtare ka regjistruar deri më tani gati 20 mijë aplikues fermerë dhe blegtorë dhe një masë e rëndësishme është edhe Skema e Naftës”, tha Denaj.
Lidhur me sigurinë ushqimore, Denaj u shpreh se në bashkëpunim me Bankën Botërore, qeveria po investon një fond prej 20 milionë euro për ngritjen e shtatë laboratorëve rajonalë duke ndihmuar fermerët të ruajnë cilësinë dhe t’i përmbahen protokolleve të sigurisë ushqimore.
“E nevojshme është siguria ushqimore e produktit dhe kemi një sistem të ngritur informacioni. Nëse vite më parë malli nuk mbahej në frigoriferë si në pikat e grumbullimit dhe nuk ka pasur analiza laboratorike me të njëjtin intensitet që bëhen sot duke krijuar një problem si për prodhimin, dhe sigurinë ushqimore. Ne kemi një fond prej 20 milionë eurosh së bashku me Bankën Botërore po zbatojmë në shtatë pika rajonale të laboratorëve për të qenë më afër fermerëve, në mënyrë që ata të ruajnë cilësinë dhe protokollet”, tha ministrja.
Një tjetër pikë e theksuar është nevoja për bashkëpunim mes fermerëve që kanë parcela të vogla, duke krijuar grupe operatorësh për të përfituar më shumë nga subvencionet dhe për të rritur vlerën e produktit në treg. Këto grupe, tha Denaj, nuk do të kërkojnë bashkim prone apo tufash, por vetëm bashkërendim të punës dhe qëllimit.
“Skema e subvencioneve shkon në për çdo fermer pavarësisht se ku e çon prodhimin e tij. Fermat e vogla nuk arrijnë të krijojnë mundësinë e mekanizimit, pasi duke pasur më pak se një hektar dhe për këtë arsye ne kërkojmë që të ketë bashkim operatorësh, jo bashkim prone, nuk po flasim për kooperativa. Po flasim për disa fermerë që e kanë tokën ngjitur me njëri-tjetrin dhe të kenë të njëjtën farë dhe të shkojnë te i njëjti treg. Ato jo vetëm marrin subvencionet 100% por dhe vlera e shitjes së produktit të tyre është më e lartë. Kjo i ndihmon fermerët, pasi ato kanë nevojë vetëm për një veteriner për të garantuar sigurinë ushqimore, nuk ka nevojë të bashkojnë pronën apo tufën”, tha ajo.
/a.f/r.e/