E Martë, 3 Nëntor 2026

SPAK çel garën për drejtuesin e ri të BKH

TIRANË, 22 prill /ATSH/ Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njofton çeljen e procedurës së riemërimit të drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Aktualisht në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit, është Aida Hajnaj, e cila filloi ushtrimin e detyrës në datën 1 shtator 2020, për një mandat 5-vjeçar, me të drejtë riemërimi.

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme ka ngritur Komisionin e Përzgjedhjes së Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, i përbërë nga Altin Dumani, drejtues i Prokurorisë së Posaçme dhe prokurorët e posaçëm Arben Kraja e Behar Dibra.

Kandidati duhet të paraqesë dokumentacionin e nevojshëm brenda datës 7 maj 2025.

SPAK njoftoi edhe kriteret e kandidatëve për pozicionin drejtues të BKH-së.

“Referuar dispozitave ligjore përkatëse, të drejtën për të aplikuar në pozicionin e Drejtorit të BKH-së, e kanë vetëm kandidatët që janë shtetas shqiptar, që gëzojnë cilësi të larta profesionale dhe morale, dhe që plotësojnë kriteret si vijon: ka përfunduar ciklin e dytë të studimeve universitare për drejtësi me diplomë të barasvlershme me “Master i shkencave”, ose arsimin e lartë policor;

– ka eksperiencë pune si prokuror, punonjës i Policisë së Shtetit apo Policisë Gjyqësore ose hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit;

– ka përvojë pune të paktën 5 vjet në çështje që kanë të bëjnë me veprat penale në fushën e korrupsionit, krimit të organizuar apo krimeve të rënda;

– nëse ka qenë apo është punonjës i Policisë së Shtetit, të ketë mbajtur për jo më pak se 3 vjet gradën “Komisar”, “Kryekomisar”, “Drejtues” apo “Drejtues i Parë”;

– të mos jetë në hetim apo gjykim për një vepër penale, të mos ndodhet në kushtet e pazgjedhshmërisë në një funksion publik, sipas ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, të ndryshuar, si dhe të nënshkruajë formularin e vetëdeklarimit në zbatim të atij ligji:

– Nuk ka mbajtur funksione politike në administratën publike ose funksione drejtuese në partitë politike të paktën gjatë dhjetë viteve të fundit përpara momentit të kandidimit;

– Ka marrë vlerësim maksimal për aftësitë e tij profesionale, etike dhe integritetin moral, nëse i është nënshtruar vlerësimeve të mëparshme, sipas legjislacionit në fuqi;

– Ndaj tij nuk është marrë masa disiplinore e “shkarkimit nga detyra”, ose ndonjë masë tjetër disiplinore, e cila është ende në fuqi sipas legjislacionit në momentin e kandidimit;

– Të mos ketë qenë dhe të mos jetë bashkëpunëtor, informator ose agjent i ndonjë shërbimi inteligjent;

– Në periudhën 29.11.1944 – 2.7.1991 të mos ketë qenë anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm, Kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, anëtar i Këshillit të Ministrave, kryetar i degëve të punëve të brendshme, punonjës i organeve të ish-Sigurimit të Shtetit, bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit apo i favorizuar, anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim-Internimeve, hetues, prokuror, gjyqtar në procese politike, denoncues apo dëshmitar i akuzës në proceset politike të posaçme;

– Të japë pëlqimin për t’iu nënshtruar testit të poligrafit. Informacioni në raportin e përgatitur nga specialisti i poligrafit mbahet në konsideratë gjatë procesit të përzgjedhjes”.

Dokumentacioni duhet të dorëzohet pranë Sektorit të Arkiv-Protokollit të Drejtorisë së Dokumentacionit dhe Burimeve Njerëzore të Prokurorisë së Posaçme në një zarf të mbyllur, i cili i drejtohet Komisionit të Përzgjedhjes së Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Procesi i riemërimit do të kryhet duke kaluar në shtatë (7) faza si vijon:

Shqyrtimi i aplikimit; Testi i arsyetimit logjik; Kontrolli mjekësor; Testi fizik; Ese me shkrim; Intervistë; Verifikim figure, deklarim i aseteve dhe testi i poligrafit;

Komisioni i Përzgjedhjes pasi verifikon dhe vlerëson nëse përmbushen kriteret, vendos nëse do të vijojë ose jo me rekomandimin për procedurën e riemërimit pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›