E Martë, 3 Nëntor 2026

Denaj: Tri linja të reja financimi për mbështetjen e fermerëve

TIRANË, 27 qershor /ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ishte në Lezhë, bashkë me zv.ministrin Dhimo Kote dhe kryetarin e bashkisë Lezhë Pjerin Ndreu, ku vizituan fermën e Gëzim Locit, një fermer i përkushtuar, që prej vitesh kultivon 25 dynymë me shalqi autokton.

Denaj tha se, “kultivimi i prodhimit bujqësor me fara autoktone ruan biodiversitetin lokal dhe forcon zinxhirin e vlerës bujqësore në zonë”.

Ministrja bëri të ditur se, Gëzimi është një nga përfituesit e Skemës Kombëtare të Mbështetjes, teksa solli në vëmendje gjatë diskutimit me fermerët nevojën për modernizimin e fermës përmes mekanikës bujqësore dhe agregateve të reja.

“Në këtë kuadër, i prezantuam Gëzimit tri linjat e reja të financimit, ku përmes Skemës Kombëtare të Investimeve, me 50% grant dhe mbështetjes nga Kredia e Butë të kombinuar me Garancinë Sovrane, çdo fermer mund të përfitojë financim me normë interesi vetëm 2% dhe mbulim kolateral deri në 70%”, tha Denaj.

Ministrja ftoi fermerët të aplikojnë në Skemën Kombëtare të Investimeve në Bujqësi, për të përfituar 50% grant në ndërtim kapanonesh; agropërpunim; mbjellje të reja; sistem vaditjeje me pika; automatizim të proceseve bujqësore, duke përfituar financim për interesa të ulta.

Gjatë takimit, kryetari i bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu dha lajmin e mirë se në bashkëpunim me MBZHR ka nisur puna për zgjedhjen e vendit ku do të ngrihet një qendër e re e grumbullimit për prodhimet bujqësore të zonës, që do të zgjerojë më shumë zinxhirin e tregut dhe eksporteve.

/e.xh//r.e//a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›