E Martë, 3 Nëntor 2026

Akuzohet në Itali si pjesëtar i një organizate kriminale, arrestohet 23-vjeçari në Vaun e Dejës

TIRANË, 27 qershor /ATSH/ Një 23-vjeçar është arrestuar në Vaun e Dejës pasi akuzohet në Itali si pjesëtar i një organizate kriminale për trafikim të lëndëve narkotike.

Policia njoftoi sot se “në vijim të bashkëpunimit intensiv me partnerët italianë, të koordinuar nga rrjeti ENFAST, me objektiv nxjerrjen përpara drejtësisë, të shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale, gjatë operacionit “Operacionalja 49”, lokalizoi në fshatin Barbullush, Vau i Dejës, dhe arrestoi me qëllim ekstradimin në Itali, shtetasin E. A., 23 vjeç”.

Sipas Policisë, “në vitin 2024, Gjykata në L’Aquila i ka caktuar këtij shtetasi, masë sigurie “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të organizatës kriminale, vepër për të cilën Kodi Penal italian parashikon maksimum dënimi, 24 vjet burgim”.

Policia njoftoi se vijon bashkëpunimi për të finalizuar ekstradimin e 23-vjeçarit, në Itali.

/m.q//r.e//a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›