E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dënimi i Salianjit, Hasimja: Një kauzë më tepër, por opozita e pafuqishme për ta shfrytëzuar

Dënimi i Ervin Salianjit me 1 vit burg nga Gjykata e Apelit ka qenë tema kryesore e ditës së sotme.

Lidhur me këtë ngjarje, opinionisti Ermal Hasimja ka folur në edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus, të moderuar nga Roland Zili.

Ai tha se Salianji del nga kjo histori si një hero dhe vendimi hedh hije të rënda dyshimi mbi sistemin e drejtësisë.

Nga ana tjetër ai tha se nuk pret ndonjë aksion të madh nga opozita, pasi është relativisht e pafuqishme për të shfrytëzuar kauza të tilla.

Intervista:

Si e lexoni vendimin e Apelit për dënimin e Ervin Salianjit?

Hasimja: Nuk ka shsumë kuptim që të komentosh vendimet e drejtësisë. Janë gjykatësit ata që i marrin provat dhe faktet dhe vendosin. E vetmja gjë që mund të shohin janë pasojat që venmdime të tilla kanë. Disa pasoja janë qartësisht të dukshme. Në radhë të parë zoti Salianji del nga kjo histori si një lloj heroi i PD, një status i merituar do them në sajë të denoncimit dhe denoncimeve të tjera. Nga ana tjetër, për mënyrën si u zhvilluan gjërat. Kjo hedh hije të rënda dyshimi mbi sistemin e drejtësisë dhe shumicën duke pasur parasysh akuzën për dirigjim të drejtësisë.

Sot është e qartë që një pjesë e konsiderueshme e opinionit publik e cilësojnë këtë si një vendim politik të marrë nga mazhoranca.

Cili është mesazhi pas këtij vendimi?

Hasimja: Intimidim, frikësim për sulme. Mund të jetë dhe me e thjeshtë se kaq, hakmarrje. Shqipëria përmes këtij vendimi bën pjesë në një kategori të vogël vendesh ku opozita dënohet. Edhe në skenarin ku do të ishte shpifje, ekzistojnë mekanizma të tjerë

Çfarë do të thotë për opozitën një fushatë me deputetë të dënuar dhe me liderin e saj në gjyq?

Hasimja: I vetmi dënim serioz i opozitës është ngujimi i Sali Berishës në kullën e vet.  Kujtojmë që shumica ka plot ish-ministra, kryebashkiakë në burg ose në dosjet e SPAK, ose në arrati. Në krahun e opozitës shohim Berishën që është ende në proces dhe Salianjin që nuk është dënuar për korrupsion apo për vjedhje. Ka një dallim de fakto thelbësor mes dy natyrave të ndryshme. Kategorinë më të madhe të të dënuarve e ka shumica.

Partia Demokratike ka njoftuar mbledhjen e Kryesisë, pas vendimit për Salianjin? A pret një përshkallëzim të aksionit?

Asgjë. Është thjesht një kauzë më tepër, por opozita deri tani ka qenë relativisht e pafuqishme për të shfrytëzuar kauza si kjo apo më të mëdha. Efekti është bërë në nivelin e opinionit publik. Besoj që është diçka që i jep disa pikë opozitës, mobilizon në radhë të parë militantët e PD, por edhe ata që janë në një lloj mëdyshje. Edhe ata janë me një lloj simatie, përkrahje më të madhe në raport me PD. Efekti i parë është intimidimi dhe një mbyllje goje, por nga ana tjetër kjo ka edhe efektin e moblizimit brenda PD. /vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›