Dënuar për korrupsion, Apeli i GJKKO lë në fuqi dënimin për gjyqtaren Zamira Vyshka dhe avokatin Pashaj

TIRANË, 7 prill/ATSH/ Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi lënien në fuqi të dënimit me 2 vite shërbim prove për ish-gjyqtaren e Elbasanit Zamira Vyshka, e shpallur fajtore për korrupsion pasiv.
Vyshka u dënua me burg për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.
GJKKO me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Nertina Kosova (kryesuese), Saida Dollani (anëtare) dhe Tereza Merkaj (anëtare) gjithashtu vendosi për Vyshkën edhe “Heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike”, për një periudhë 5 vjeçare.
Ndërkohë, GJKKO la në fuqi edhe dënimin për avokatin Ilir Pashaj, i cili nga 2 vite burg për shkak të gjykimit të shkurtuar shkon në 1 vit e 4 muaj.
Gjyqtarja Vyshka u arrestua në korrik të 2022 me urdhër të SPAK, bashkë me avokatin Ilir Pashaj, pasi kishte pranuar një shumë parash nga të afërmit e një personi të arrestuar.
/k.s/j.p/