Deputetja Gjuzi shfaqet me foshnjën gjatë punimeve të komisionit kuvendor

TIRANË, 30 shtator /ATSH/ Deputetja e Partisë Socialiste, Ilva Gjuzi mori pjesë sot në punimet për konstituimin e Komisionit për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe zhvillimin e Qëndrueshëm, i drejtuar nga kryetarja e komisionit, Anila Denaj.
Por, deputetja Gjuzi, u shfaq për herë të parë në këtë komision, bashkë me foshnjën njëmuajshe, që e kishte të vendosur në kraharor.
Kryetarja e komisionit, Anila Denaj, e përshëndeti praninë e deputetes me fëmijën, duke e cilësuar një ogur të mirë për frymën e zhvillimit të qëndrueshëm dhe për objektivat që lidhen me barazinë gjinore.
“Zonja Gjuzi shpresoj që të jetë jo vetëm një prezencë e mirë e fëmijës tuaj, por edhe në frymë të zhvillimit të qëndrueshëm, ajo që lidhet me barazinë gjinore dhe politikat në frymë të kësaj, prezenca juaj me fëmijën këtu e përshtat më së miri”, u shpreh Denaj.
Përgjegjësia ndaj foshnjës nuk e pengoi ligjvënësen socialiste Gjuzi, e zgjedhur për herë të parë në këtë legjislaturë, që të merrte pjesë në diskutimet për konstituimin e Komisionit për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm.
1 nga 5/e.i/r.e/