KOMENT – Reforma e migracionit, testi i parë i përplasjeve brenda BE-së

BRUKSEL, 30 shtator /ATSH-AFP/ – Ndërsa afrohen Krishtlindjet, Bashkimi Evropian duhet të shpërndajë të paktën 30 000 azilkërkues ose të paguajë një kontribut financiar.
Ky është testi i parë i një reforme të migracionit të miratuar në vitin 2024, e cila premton negociata të vështira ndërmjet 27 vendeve anëtare të BE-së.
Të paktën 30 000 azilkërkues do të shpërndahen deri në Krishtlindje dhe politikat e reja të migracionit të BE-së do të përballen me testin e parë të vërtetë në javët e ardhshme.
Bashkimi Evropian miratoi një reformë masive të migracionit në vitin 2024, e cila do të hyjë në fuqi brenda pak muajsh.
Ndër masat e shumta, kjo reformë parashikon në mënyrë të dukshme një sistem krejtësisht të ri për mbështetjen e azilkërkuesve në kontinent.
Për të lehtësuar barrën e vendeve që ndodhen në rrugë migratore, si Greqia dhe Italia, shtetet e tjera anëtare tani do të duhet të angazhohen çdo vit për të zhvendosur një numër të caktuar azilkërkuesish në territorin e tyre ose, nëse kjo nuk arrihet, do të paguajnë një kontribut financiar prej 20 000 eurosh për azilkërkues për vendet që ndodhen nën presion.
Çdo vit kërkohen të paktën 30 000 zhvendosje. Dhe negociatat e para se si të shpërndahen këta njerëz midis 27 vendeve të BE-së janë gati të fillojnë.
Cilat shtete do të jenë të gatshme të pranojnë azilkërkues nga një shtet tjetër?
“Nga një pikëpamje logjistike, është mjaft e lehtë të marrësh 1 000 njerëz nga një vend tjetër. Thjesht dërgon autobusë apo aeroplanë, por politikisht është shumë e komplikuar”, shpjegon një diplomat evropian.
”Kjo çështje është më e vështirë se çdo gjë tjetër”, shton një zyrtar tjetër, duke përmendur kritikën e ashpër të Donald Trump ndaj politikës evropiane të migracionit në OKB.
“Mos ndoshta duhet t’u kujtojmë shteteve anëtare se ishin ata që negociuan për këtë reformë në fund të fundit”, u kundërpërgjigj eurodeputetja, Fabienne Keller.
“I gjithë qëllimi i këtij sistemi të ri është t’i shikojmë shifrat në mënyrë objektive, pa iu drejtuar demagogjisë populiste”, argumentoi ajo, e cila mbështeti miratimin e kësaj reforme të gjerë të migracionit në Parlamentin Evropian.
Negociatat rreth zbatimit të sistemit të ri pritet të zgjasin gjatë gjithë vjeshtës.
Hapi i pare është lista.
Komisioni Evropian do të përcaktojë deri më 15 tetor se cilat vende të BE-së i konsideron nën presion migrator, bazuar në një sërë kriteresh si numri i mbërritjeve të parregullta apo madhësia e shtetit./ /os/