E Martë, 3 Nëntor 2026

Dështimi i tetë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

PRISHTINË, 29 prill /ATSH/ Për të tetën herë me radhë, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar të konstituojnë përbërjen e legjislaturës së nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, për të gjashtën herë nuk mori mbështetjen për postin e kryeparlamentares.

Kësaj radhe, nga 110 deputetë të pranishëm ajo mori 54 vota për, 44 kundër dhe 3 abstenuan. Në seancat paraprake, për të kishin votuar 57 deputetë – por kësaj radhe disa deputetë të LVV-së munguan.

Seanca konstituive ka nisur më 15 prill dhe nëshate seancat e mëparshme deputetët kanë arritur të kalojnë vetëm dy pikat e para të rendit të ditës – miratimin e raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe betimin e deputetëve – por, kanë ngecur në pikën e tretë, atë të zgjedhjes së kreut të ri të organit legjislativ.

Vetëm pas votimit të kryetarit të ri dhe pesë nënkryetarëve, procesi i legjislaturës së re do të konsiderohej i përmbyllur.

Me konstituimin e Kuvendit do t’i hapej rruga formimit të ekzekutivit të ri.

LVV-ja i ka fituar zgjedhjet me 42 për qind të votave, apo 48 ulëse në Kuvend. Por, edhe për formimin e Qeverisë asaj i duhen të paktën 61 vota të deputetëve.

Pas LVV-së më shumë vota fitoi PDK, me 24 ulëse, e pastaj LDK-ja me 20 ulëse.

AAK dhe Nisma i fituan tetë ulëse, prej të cilave tri i takojnë kësaj të fundit.

Seanca konstituive do të vazhdojë të enjten, 1 maj, në orën 10:00.  /REL/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›