Rama: “Gjurma”, histori suksesi e një emigranti të rikthyer në vendlindje

TIRANË, 29 prill/ATSH/ Pas shumë vitesh në emigracion, kthimi në vendlindje për Aldo Mehmetin nga Vlora ishte vendimi i duhur.
Vlora e transformuar plotësisht e me një perspektivë të ndritur turistike e ka rritur biznesin e tij vit pas viti për të qenë sot një nga restorantet elitare të qytetit dhe shumë i frekuentuar nga vizitorët vendas e të huaj.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale dëshminë e Aldo Mehmetit nga Vlora, i cili është kthyer në vendlindje pas 17 vitesh në Firence.
Rama theksoi se restoranti “Gjurma” është një histori suksesi e të riut profesionist që pasi ia ka dalë mes shumë vështirësive në emigracion, u kthye në atdhe për të lënë gjurmë në vendlindje, aty ku ka zemrën.
Aldo Mehmeti tregon se nëse do të kishte vendosur të qëndronte në Firence, ku edhe mbaroi studimet për shef kuzhine, do të ishte thjesht një shef kuzhine si gjithë të tjerët, ndërsa në Vlorë ka sipërmarrjen e tij.
Mehmeti vlerësoi perspektivën që ofron sot Vlora turistike, ndërsa ftoi gjithë të rinjtë në emigracion që të kthehen dhe të lënë gjurmën e tyre në vendlindje.
/m.m//r.e/