Dështon për herë të nëntë konstituimi i Kuvendit të Kosovës, partitë refuzuan votimin e fshehtë për kryeparlamentaren

PRISHTINË, 1 maj/ATSH/ Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës të enjten, në përpjekjen e nëntë, pasi nuk kaloi propozimi i kryesuesit të seancës, Avni Dehari, për votim të fshehtë për kryeparlamentarin.
Ndryshe nga herët e kaluara, nuk u propozua kandidati për kryetar të Kuvendit nga partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje.
Dehari propozoi që votimi për kryetar të Kuvendit të bëhet në mënyrë të fshehtë. Ai ka propozuar që votimi të kryhet “me fletëvotime fizike”.
Dehari u ka bërë thirrje partive të propozojnë nga një anëtar për komisionin për udhëheqjen e këtij procesi.
Por, votimin e fshehtë e ka refuzuar kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i cili ka thënë se partia e tij refuzon mënyrën e votimit të fshehtë për kryetarin e Kuvendit të Kosovës.
Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes deputetes Hykmete Bajrami, ka refuzuar pjesëmarrjen në votimin e fshehtë.
Si PDK, ashtu edhe LDK e kanë cilësuar të paligjshme ndërrimin e formës së votimit.
Refuzim erdhi edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Qëndrim të njëjtë ka shprehur edhe Lista Serbe.