Punonjësit e sektorit privat në Kosovë kërkojnë rritjen e pagave

PRISHTINË, 1 maj/ATSH/- Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, 1 Majit, Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës, ka kërkuar që paga në sektorin privat të rritet në 600 euro, marrëveshje kolektive, sigurime shëndetësore dhe Gjykata e punës.
Në një protestë të organizuar nga kjo sindikatë, kryetari i saj Jusuf Azemi tha se nëse nuk do të rriten pagat deri me 1 shtator atëherë sektori privat do të bojkotojë punën.
Azemi tha se institucionet shtetërore në vend, punëtorët e sektorit privat i kanë trajtuar si skllevër.
Ndërsa njëri nga protestuesit, Hakif Sylejmani tha se 1 Maji në Kosovë nuk është ditë pushimi për punëtorët e sektorit privat.
E Hafije Statovci u shpreh se një pagë prej 230 euro nuk po i len as të “vdesin e as të jetojmë”.
“Për të satën herë në vend, që në ditën e sotme të festojmë, ne duhet që të protestojmë. Për të satën herë njoftuam shtetin dhe personat përgjegjës se ne nuk po mundemi të mbijetojmë me pagat që i kemi. Në Kosovë punëtorët e sektorit privat marrin pagë 230 euro kjo pagë nuk po na len të vdesim por as të jetojmë”, u shpreh Statovci.
Po sot kanë protestuar edhe punonjës të KEK-ut. /KosovaPress/