Dështon sërish konstituimi i Kuvendit të Kosovës

PRISHTINË, 11 korrik/ATSH/ Ka dështuar sërish konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Ky është dështimi i të 45-të me radhë.
Kosova ka mbajtur zgjedhjet parlamentare më 9 shkurt, por ende nuk është bërë formimi i institucioneve të reja.
Procesi ka ngecur të zgjedhja e kryetarit të Kuvendit. Lëvizja Vetëvendosje, në koalicion me Guxo dhe Alternativa, nuk po arrin t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për ta zgjedhur Albulena Haxhiun. Ata po kërkojnë votim të fshehtë, por kjo, dhe kandidatura e Haxhiut, po kundërshtohen nga partitë e tjera parlamentare.
Presidentja Vjosa Osmani ka zhvilluar takime bashkë, dhe të ndara, me përfaqësues të partive politike – në përpjekje të zgjidhjes së krizës. Por, nuk ka pasur ndonjë ndryshim.
Thirrje për formim të institucioneve të reja kanë bërë edhe ambasadorë të akredituar në Kosovë si dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian.
Konstituimi i Kuvendit po dështon edhe pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese përmes së cilit iu kërkua deputetëve që ta bëjnë Kuvendin deri më 26 korrik.
/Kosovapress/