Malaj: Bashkitë të hartojnë planet e shlyerjes së detyrimeve brenda 20 korrikut

TIRANË, 11 korrik/ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi sot se bashkitë që përballen me vështirësi financiare duhet të hartojnë dhe miratojnë planet e shlyerjes së detyrimeve të prapambetura deri më 20 korrik.
Sipas tij, çdo plan duhet të miratohet në këshillin bashkiak përkatës dhe më pas të dorëzohet pranë Ministrisë së Financave.
Më tej, Ministria do të ndjekë zbatimin e shlyerjes së detyrimeve brenda një afati 12-mujor.
“Bashkitë me vështirësi financiare duhet të përgatisin edhe planet e rehabilitimit financiar, të cilat po ashtu duhet të miratohen deri më 20 korrik dhe t’i kalohen Ministrisë së Financave për komente dhe rekomandime”, u shpreh Malaj.
Pas vlerësimit nga Ministria, theksoi Malaj, këto plane do t’i kalohen degëve të Thesarit për ndjekje dhe zbatim.
Ministri vlerësoi një sërë bashkish për rezultatet e arritura në realizimin e të ardhurave vendore dhe të investimeve.
Bashkitë që kanë realizuar mbi 70% të buxhetit të tyre të miratuar, si në aspektin e të ardhurave, ashtu edhe të investimeve, janë: Tirana, Kamza, Durrësi, Vlora, Elbasani dhe Shkodra.
Në këtë listë, Malaj përfshiu edhe bashkinë e Lezhës, e cila ka treguar performancë të mirë veçanërisht në zbatimin e projekteve investuese.
/a.gj//a.f//r.e/